Sulmi ndaj Donald Trump në fushatë, pezullohen agjentët e Shërbimit Sekret në SHBA
Shërbimi Sekret ka publikuar disa prej masave të marra pas sulmit me armë që iu bë Donald Trump në korrik të vitit të shkuar kur ishte në fushatë për president. 6 agjentë u pezulluan nga detyra dhe më tej u ulën në detyrë pasi nuk parandaluan ngjarjen
Gjashtë agjentë të Shërbimit Sekret në SHBA janë pezulluar nga puna për shkak se nuk parandaluan ngjarjen e 13 korrikut 2024 kur Donald Trump u qëllua gjatë fushatës për president.
Zëvendësdrejtori i Shërbimit Sekret, Matt Quinn, tha për një media amerikane se ndëshkimi i tyre zgjati nga 10 deri në 42 ditë. Kur u rikthyen në punë, ata u caktuan në pozicione më të ulëta dhe me më pak përgjegjësi. Sipas tij, masat u morën sipas rregullave federale që parashikon ligji.
“Ne nuk mund ta zgjidhim këtë situatë vetëm duke pushuar njerëz nga puna,” u shpreh Quinn. “Jemi të përqendruar të kuptojmë dhe të zgjidhim arsyet që na çuan në këtë dështim.”, tha ai
Në atë kohë Shërbimi Sekret u kritikua ashpër për mënyrën si u menaxhua siguria gjatë mitingut në Butler. Edhe pse kishte agjentë dhe masa sigurie, autori Thomas Crooks arriti të ngjitej në një ndërtesë pranë skenës dhe të qëllonte në drejtim të Trump-it. Si pasojë, u vra një zjarrfikës 50-vjeçar, Corey Comperatore, ndërsa Trump u plagos lehtë në vesh dhe dy persona të tjerë u lënduan. Crooks u vra nga një snajper i Shërbimit Sekret.
Quinn e quajti ngjarjen një “dështim operacional” dhe tha se tani po punohet që të mos ndodhë më një situatë e tillë. Pas atentatit, Shërbimi Sekret ka përmirësuar mjetet e sigurisë, duke përfshirë përdorimin e dronëve ushtarakë dhe vendosjen e qendrave të lëvizshme të komandës për të pasur komunikim më të mirë me policinë vendore.
Disa javë më pas, ndodhi një tentativë tjetër për atentat ndaj Trump në Ëest Palm Beach, Florida që u parandalua me sukses por u shoqërua me dorëheqjen e drejtoreshës së atëhershme të Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, si dhe fillimin e disa hetimeve dhe dëgjesave në Kongres.
Në dhjetor, një grup i përbashkët i deputetëve të të dy partive në Kongres publikoi një raport 180-faqesh, ku u morën në analizë të dy rastet. Sa I përket agresionit në Butler ata u shprehën se mund të ishte parandaluar.

