Problemet me bujqësinë, Rama mbledh në Cërrik ministrat, kryebashkiakët e fermerët: Urë e re bashkëpunimi

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Cërrik, ku po zhvillon një takim me fokus sektorin e bujqësisë, sfidat arritjet dhe si do financohet sektori i bujqësisë duke iu përgjigjur zhvillimeve ekonomike dhe bumit turistik.

Në takim e pranishme ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, si edhe ai i financave, Petrit Malaj, por edhe fermerë e sipërmarrës. 

Rama theksoi se kryebashkiakët janë larguar nga lidhja me fshatin dhe nuk e shohin zhvillimin rural si pjesë të përgjegjësive të tyre.

Ai u shpreh se pas reformës administrative territoriale, vëmendja ndaj fshatit ka pësuar rënie, duke u reduktuar në çështje infrastrukturore dhe urbanistike, ndërsa zhvillimi i sipërmarrjeve bujqësore mbetet i mangët.

Rama theksoi nevojën për një kthesë në këtë qasje, duke nënvizuar mungesën e modeleve të suksesshme të bashkëpunimit mes fermerëve, sipërmarrësve dhe pushtetit vendor.

Ai përmendi linjën e re të kredisë prej 250 milionë eurosh nga Banka e Shqipërisë, e cila synon mbështetjen e projekteve bujqësore dhe rurale. Megjithatë, Rama paralajmëroi se pa ndryshuar qasjen e kryebashkiakëve, këto fonde mund të mos sjellin rezultate domethënëse.

Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për të përfituar maksimalisht nga këto mundësi financiare. Kryeministri kërkoi një përkushtim më të madh ndaj zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe mbështetjes së fermerëve në çdo bashki.

Takimi do të zgjasë 2 ditë, sot dhe nesër, dhe është i organizuar si një diskutim mbi sektorin e bujqësisë.

Që nga mbështetje financiare që merr nga buxheti i shtetit, mundësitë për të rritur financimin, skemat kombëtare dhe si mund të rishikohen për të qenë sa më mbështetëse e deri tek masat e marra për IPARD, që të riaktivizohen fondet.