Bala: Shqiptarët në Britani të Madhe të integruar ekonomikisht, por jo kulturalisht
I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, gazetari Alban Bala analizoi praninë e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se ndonëse shumë prej tyre janë integruar ekonomikisht, mungon ende një përfaqësim i mirëfilltë kulturor dhe komunitar.
"Që ne të mos ngelim në nivelin e debatit të kafes. Le ta shohim pak më thellë.
Realisht ajo që Farage ka arritur të nxjerr me duart e zotit Rama nga ky diskutim është ndoshta një numër përafërsisht real. Zoti Rama i thotë në bazë të numrave që ne kemi si ambasadë janë 140 mijë deri në 300 mijë shqiptarë të cilët mirë ose keq rrisin në një masë të madhe % e shqiptarëve. Në një farë mënyre riinkuadrojnë dimensionin e paligjshmërisë.
Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk është se kanë qenë në prani shumë të madhe deri në vitin 97. Viti 97 prodhoi valën e parë pak më konsistente, por ajo që ka qenë momenti i zhvendosjes së tyre ka qenë kur Mbretëria e Bashkuar hapi dyert për refugjatët Kosovarë dhe një pjesë e madhe e Kuksianëve dhe Hasjanëve u zhvendosën, u dorëzuan si kosovarë dhe praktikisht udhëtuan drejt Mbretërisë së Bashkuar duke krijuar gradualisht një ripozicionim të tyre në një terren të ri.
Një pjesë e madhe e tyre sot janë në pozitat që kanë krijuar bizneset e tyre, sipërmarrjet e tyre domethënë janë integruar ekonomikisht. Nuk janë integruar as kulturalisht, as institucionalisht dhe shqiptarët nuk kanë, ashtu siç nuk e kanë në asnjë prej vendeve ku ndodhen një komunitet i cili të jetë në gjendje të prodhojë instrumenta komunitarë.
Pak instrumenta komunitarë kanë filluar të gjenerohen me studentët apo me të rinjtë, të cilët me një mentalitet tjetër shumë më të avancuar perëndimorë, po fillojnë të bashkohen duke krijuar grupe interesi, mbi premisën e të qenit shqiptarë", u shpreh Bala.
