KASTRIOT ISMAILAJ NË KUSHTETUESE! Ismailaj u dënua me 11 vite burg për aferën CEZ-DIA, u lirua në 2023

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 16 shtator kërkesën e Kastriot Ismailajt për shfuqizimin e dënimit penal në lidhje me aferën CEZ-DIA. Ismailaj pretendon se nuk i janë respektuar të drejtat në proces dhe se vendimet e gjykatave bien ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Çështja pritet të risjellë në fokus një nga aferat më të bujshme të dekadës

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shqyrtojë në seancë publike më 16 shtator 2025 kërkesën për shfuqizimin e dënimeve penale ndaj Kastriot Dajlan Ismailajt, ish-administrator i kompanisë DIA, i dënuar me 11 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash në lidhje me aferën CEZ-DIA.

Kërkesa për gjykim është ngritur mbi pretendimin se vendimet e tre niveleve të gjyqësorit shqiptar  nga Gjykata e Tiranës në vitin 2017, Gjykata e Apelit në 2018 dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2024  bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Në thelb, Ismailaj pretendon se nuk janë respektuar të drejtat e tij procedurale dhe se vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë është i papajtueshëm me parimet kushtetuese dhe ndërkombëtare.

Kujtojmë se Kastriot Ismailaj u arrestua në vitin 2015 dhe u dënua me 11 vite burg për mashtrim dhe pastrim parash në dëm të kompanisë CEZ-Shpërndarje, nga e cila dyshohet se përvetësoi rreth 5 milionë euro përmes kontratës me kompaninë e tij, “Adriatic Development Corporation”. Ai u lirua nga burgu në shtator të vitit 2023 pasi kishte përfunduar së vuajturi dënimin.

Në vendimin e formës së prerë të gjykatave, përveç dënimit me burg, u urdhërua dhe konfiskimi i shumave milionëshe në dollarë, euro dhe lekë në llogari të kompanisë së tij.

Emri i Ismailajt është përmendur gjerësisht edhe në dosjen e Ilir Metës që çoi në arrestimin e tij pasi SPAK, thekson se Ismailaj dhe Meta kanë mbajtur kontakte të rregullta në kohën para dhe pas krijimit të kompanisë së mbledhjes së Burgjeve DIA.

Sipas SPAK Meta dhe Ismailaj kanë udhëtuar madje edhe në Pragë të Çekisë ku kanë marrë pjesë në mbledhjet e CEZ.

Çështja CEZ-DIA ka qenë një nga çështjet më të mëdha të dekadës së fundit që përfshiu politikanë, institucione shtetërore dhe interesa të mëdha financiare.