Samiti në Shkup, Kos: Ka konsensus për zgjerim, por dritarja s’mund të jetë e hapur gjithmonë! Në vjeshtë, me Shqipërinë...

Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos theksoi sot në samitin që po mbahet në Shkup se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por "dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë".

Kos tha se me Shqipërinë do festojnë hapjen e grupkapitullit të fundit. 

“Po shohim përparim të rëndësishëm. Shqipëria ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar. Në Bosnje e Hercegovinë është miratuar agjenda e reformave dhe po presim që qeveria e re, z. Kurti, të vendosë më në fund më shumë energji në procesin e anëtarësimit. Ndërkohë, tashmë po ecim përpara edhe me Serbinë”, tha ajo.

Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duar të vendeve të rajonit.

“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.

“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.

Çfarë ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor?

Plani i Rritjes parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Plani bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun e njësuar të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave thelbësore dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Zhbllokimi i fondeve nga Plani i Rritjes

Në qendër të vëmendjes të samiti të Shkupit janë reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në BE. Nga Plani i Rritjes kanë marrë fondet e para të parafinancimit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në Shkup do të diskutohet edhe për fusha të reja të bashkëpunimit si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët, i cili do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Takimi Mickoski – Kos

Pas një takimi që kishte pasur me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministrit Hristijan Mickovski tha: “Theksova vendosmërinë e fortë të qeverisë për t’u integruar në BE, me dinjitet dhe përmes zbatimit të reformave të konsiderueshme në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.

Komisionerja Kos përshëndeti në takim agjendën e reformave të qeverisë së Shkupit dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën evropiane.