PAMJET/ Sot samiti i BE-së në Shkup, Ahmeti pret Ramën: E ardhmja evropiane e Rajonit është e përbashkët, s’ka ndarje në këtë proces
Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet këtë të martë (1 korrik) në Shkup.
Pasditen e djeshme ai u prit nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili përmes rrjeteve sociale thotë se e ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces.
MESAZHI I ALI AHMETIT
Takim vëllazëror në Shkup me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në kuadër të Konferencës për Bashkimin Europian.
Në një kohë kur Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, e ritheksuam se edhe Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e kësaj rruge. E ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces.
Diskutuam për:
– Kërcënimet serioze ndaj Marrëveshjes së Ohrit;
– Marrëdhëniet ndëretnike në vend;
– Rëndësinë e forcimit të raporteve shtetërore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Ky ishte një takim i sinqertë, me thellësi politike dhe vëllazërore, në funksion të barazisë dhe perspektivës europiane.
Falënderoj Kryeministrin Rama për mbështetjen e vazhdueshme të barazisë dhe rrugës europiane të Maqedonisë së Veriut.
Takimi “Stabilitet, Unitet, e Ardhme”
Takimi i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dedikuar Planit të Rritjes për rajonin, po zhvillohet në Shkup, Maqedoni, me një agjendë diskutimesh mbi bashkëpunimin ekonomik, reformat dhe integrimin drejt tregut të përbashkët rajonal.

Kryeministri Edi Rama dhe liderë të tjerë të rajonit do të mirëpriten sot nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në nisje të punimeve të takimit kryesor me temë "Stabilitet, Unitet, e Ardhme", ku Kryeministri Mickoski dhe Komisionerja për zgjerimin e BE, Marta Kos, do t’i drejtohen pjesëmarrësve me një fjalë.
Fokusi kryesor i bisedimeve është vlerësimi i Planit të Rritjes, propozimet për iniciativa të reja dhe bashkëpunimin ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, të konceptuara në dy paneleve diskutimi; Paneli i parë: “Plani i Rritjes: Vlerësimi, hapat e ardhshëm dhe komunikimi”, ku do të bëhet vlerësimi i Planit të Rritjes në të gjitha shtyllat e tij, si dhe do të diskutohet mbi iniciativat e propozuara në Shtyllën 1 (Turizmi, mbrojtja e konsumatorit dhe “Autostrada” e Tregut të Përbashkët) dhe lidhjet me Tregun e Përbashkët Rajonal.
Kryeministri Edi Rama dhe liderë të tjerë do të jenë pjesë e këtij Paneli diskutimi.
Ndërsa paneli i dytë“Thellimi në Shtyllat e Planit të Rritjes” do të bëjë bashkë Ministrat për Çështjet e BE-së, përfaqësues të BE-së, organizatave rajonale dhe partnerë zbatues.


