Manja: Integriteti i magjistratit, thelbi i besimit të qytetarëve tek drejtësia

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja mori pjesë në Konferencën Kombëtare për “Dimensionin e integritetit në funksionin e magjistratit”. Në fjalën e tij Manja ndau disa mendime për një nga çështjet më të rëndësishme për drejtësinë.

“Integriteti i magjistratit nuk është vetëm një term ligjor apo kushtetues. Ai është thelbi i besimit të qytetarëve te drejtësia. Do të thotë paanshmëri, ndershmëri, përgjegjësi dhe pavarësi, por edhe sjellje e drejtë e magjistratit me qytetarin, përkushtim në punë dhe efikasitet në gjykime”, tha Manja.

Manja u shpreh se “reforma në drejtësi dhe vetingu ishin hapa të domosdoshëm për të pastruar sistemin”. Por, vijoi Manja, ato nuk mjaftojnë përgjithmonë.

“Integriteti i vërtetë ndërtohet dhe ruhet çdo ditë nga vetë sistemi, nga mënyra se si magjistratët dhe organet e drejtësisë e mbajnë veten të pastër dhe i kërkojnë llogari vetes. Në këtë mision kanë rol vendimtar: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës”, nënvizoi Manja.

Ai vuri në dukje se këto organe kushtetuese së bashku me trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë përgjegjësinë kushtetuese, ligjore  dhe institucionale  për të garantuar integritetin dhe pavarësinë e sistemit në mënyrë të qëndrueshme.

“Vetëm nëse aktorët e sistemit të drejtësisë do të punojnë çdo ditë me ndershmëri për integritetin, pavarësinë dhe llogaridhënien e tyre, atëherë qytetarët do të perceptojnë dhe besojnë se drejtësia është e drejtë dhe e barabartë për të gjithë”, tha Manja.

Manja i uroi gjithashtu suksese magjistratëve të rinj që u diplomuan sot. “Puna dhe integriteti i tyre janë garancia më e madhe për drejtësinë që i shërben qytetarit dhe shtetit të së drejtës”, tha Manja.