‘Ylli’ spanjoll kërkon kalimin te Barcelona, transferimi pritet të zyrtarizohet javën e ardhshme

Barcelona po afrohet gjithnjë e më shumë me nënshkrimin e Nico Williams dhe ky progres është kryesisht meritë e vetë futbollistit.

Sipas asaj që raporton “MARCA”, ylli 22-vjeçar i përfaqësueses spanjolle ka komunikuar përmes agjentëve të tij tek Athletic Bilbao dëshirën e qartë për t’u transferuar te Barcelona këtë verë.

Vendimi i sulmuesit anësor vjen menjëherë pas deklaratave publike të Drejtuesit Sportiv të Barçës, Deco, i cili e kishte konfirmuar interesin dhe vullnetin e përbashkët mes klubit katalanas dhe lojtarit.

Një tjetër sinjal i qartë: miku i ngushtë i Lamine Yamal është gati për të veshur fanellën ‘blaugrana’.

Megjithatë, rruga nuk është e lehtë. Marrëdhëniet mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos kanë qenë të tensionuara prej kohësh, veçanërisht pas tentativës së dështuar të verës së kaluar për të siguruar shërbimet e lojtarit.

Tani situata është përkeqësuar edhe më shumë, për shkak të mënyrës se si është menaxhuar kjo çështje.

Aktualisht në pushime, Nico Williams ka ndërhyrë vetë për të sqaruar të ardhmen e tij dhe për të konfirmuar dëshirën për t’u transferuar në Katalunjë.

Barcelona, nga ana e saj, është e ndërgjegjshme se Bilbao nuk ka ndërmend të negociojë, por kërkon pagesën e plotë të klauzolës së lirimit prej 58 milionë eurosh dhe në një këst të vetëm.

‘Blaugranat’ shpresojnë që marrëveshja të mbyllet shpejt, jo vetëm për të siguruar shërbimet e një lojtari vendimtar, por edhe për të respektuar dëshirën e tij.

Zyrtarizimi pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme, ndërsa Barça është gati t’i japë Nico Williams-it një vend të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Hansi Flick.