Kush është Ardon Jashari, mesfushor që Tare e do me çdo kusht te Milani

Milan po punon për të ndërtuar një mesfushë më të re dhe dinamike për të ardhmen, dhe një nga emrat që ka ngjallur interes të veçantë në radhët e klubit është Ardon Jashari, mesfushor 22-vjeçar me origjinë shqiptare dhe pasaportë zvicerane, që aktivizohet te Club Brugge.

Jashari, i cili u transferua nga Lucerna në verën e vitit 2024 për 7 milionë euro plus bonuse, ka shpërthyer që në sezonin e parë në kampionatin belg, duke u shpallur si lojtari më i mirë i sezonit dhe njëkohësisht talenti më premtues.

Gazetari i njohur belg, Sacha Tavolieri, ekspert i merkatos dhe i futbollit belg, ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për Jasharin:

“Jashari është një mesfushor shumë i fortë. Mund ta zëvendësojë direkt Reijndersin në mesin e fushës.

Madje është më i kompletuar se Reijnders kur ky i fundit mbërriti te Milani nga AZ.

Ka një aftësi të madhe në parashikimin dhe ndërprerjen e aksioneve, menaxhon mirë topin dhe e kupton saktë kur duhet të shtyjë përpara, duke u kthyer pothuajse në një numër 10 kur skuadra sulmon."

Tavolieri shton gjithashtu se Jashari është gati menjëherë për formacionin titullar, pasi është i përgatitur psikologjikisht dhe teknikisht, dhe lexon lojën më shpejt se shumica e lojtarëve në pozicionin e tij.

Megjithatë, negociatat nuk do të jenë të lehta.

Club Brugge kërkon mbi 30 milionë euro për kartonin e tij, një çmim i lartë, por jo i pazakontë për klubin belg, i njohur për qëndrimet e forta në negociata (mjafton të kujtojmë rastin De Ketelaere).

Në fund, Tavolieri përfundon:

“Jashari është shumë i interesuar të shkojë te Milani dhe po punon me klubin për ta realizuar këtë transferim. Ai e adhuron idenë e veshjes së fanellës kuqezi dhe jam i bindur se do të shkëlqente në Milano.”

Një tjetër emër shqiptar në horizontin e madh të futbollit europian dhe ndoshta, së shpejti, edhe në zemër të “San Siros”.