Zyrtare/ Lyon zbret në Ligue 2 pas vendimit të DNCG-së

Një goditje e rëndë për një nga klubet më emblematike të futbollit francez: Olympique Lyonnais ka rënë zyrtarisht në Ligue 2, pas një vendimi të marrë nga organi financiar i futbollit francez, DNCG.

Vendimi u konfirmua këtë 24 qershor 2025, pas një mbledhjeje vendimtare mes përfaqësuesve të klubit dhe DNCG-së.

Gjatë një takimi të mëparshëm, DNCG kishte vendosur një rënie të përkohshme, me kusht që situata financiare e klubit të përmirësohej.

Por pavarësisht përpjekjeve të shumta nga drejtuesit e Lyonit, standardet e kërkuara nuk u përmbushën.

Eagle Football Group, konsorciumi që zotëron Lyonin, ka lëvizur disa "leva financiare" për të bindur autoritetet, përfshirë shitjen e aksioneve të John Textor te Crystal Palace si dhe transferimin e ekipit të femrave të Lyonit.

Megjithatë, këto masa nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur zbritjen.

Pronari i Lyonit, John Textor, kishte shprehur optimizëm pas takimit me DNCG, duke deklaruar në media:

“Kontributet nga aksionerët tanë janë të qarta.

Kemi injektuar kapital të ri, jo vetëm për DNCG, por edhe për procesin e licencimit të UEFA-s. Shitja e Crystal Palace është një lajm shumë i mirë.

Likuiditeti ynë është përmirësuar ndjeshëm.”

Por pavarësisht këtij optimizmi, realiteti është i ashpër: Lyon do të luajë në Ligue 2 sezonin e ardhshëm, për herë të parë që nga vitet 1980.

Një rrugëtim i errët për një klub që ka fituar 7 tituj radhazi të Ligue 1 dhe që deri vonë ka qenë pjesë e elitës evropiane. Tani, sfida e radhës është ringritja.