Humbi 5 kg nga viroza, Mbappe në dyshim për Salzburgun, por ka një lajm të mirë për të
Kylian Mbappé ka kaluar një periudhë të vështirë së fundmi me Real Madridin.
Një virozë e fortë, e cila e detyroi të shtrohej në spital, ka bërë që sulmuesi francez të humbasë deri në 4-5 kilogramë dhe dy ndeshjet e para në Botërorin e Klubeve.
Diagnoza ishte gastroenterit akut dhe, ndonëse ai është rikthyer në stërvitje pa kufizime, forma e tij fizike mbetet ende e brishtë.
Për këtë arsye, prania e tij në ndeshjen ndaj Salzburgut, të premten, herët në mëngjes, është ende në dyshim.
Mbappé, i cili është lojtari më i rëndësishëm i Realit për momentin, do të vlerësohet deri në minutën e fundit për të kuptuar nëse do të jetë i gatshëm.
Ndërkohë, një tjetër temë që po qarkullon në ambientet madrilene është numri i fanellës që Mbappé do të mbajë sezonin e ardhshëm.
Deri tani ai ka luajtur me numrin 9, me të cilin ka shkëlqyer duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe duke fituar edhe “Këpucën e Artë”.
Por, me largimin e Luka Modric-it, ka gjasa që ai të trashëgojë fanellën legjendare me numrin 10, një simbol i peshës institucionale dhe kreative në fushë.
Nëse kjo ndodh, do të ishte një mënyrë për Real Madridin që t’i japë Mbappés një tjetër shenjë besimi dhe lidershipi në skuadër, duke i dhënë një numër që ai e ka mbajtur edhe te PSG.
Për momentin, gjithçka mbetet për t’u konfirmuar, si në fushë, ashtu edhe mbi supe.
