Xhixho: Harta e re gjyqësore uli numrin e gjykatave në vend, rriti stokun e dosjeve

Zv.Presidentja e PL, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Harta e re gjyqësore uli numrin e gjykatave në vend dhe rriti stokun e dosjeve.

Postimi:

Raporti i Komisionit Europian analizon në detaje ecurinë e reformës në drejtësi, por anashkalon një element shumë të rëndësishëm: ndikimin e kësaj reforme te qytetarët.

Raporti nuk thotë asgjë për aksesin e qytetarëve në drejtësi, nëse ajo e ka arritur apo jo qëllimin për të cilin u krijua.

E vërteta është se qytetarët shqiptarë nuk kanë akses në drejtësi, kjo si pasojë e hartës së re gjyqësore që uli numrin e gjykatave në vend, rriti stokun e dosjeve dhe shtoi mungesën e gjyqtarëve etj.

Në të gjithë vendin janë mbi 150 mijë dosje në pritje të shqyrtimit.

Dosje të vitit 2017 presin ende të merren në shqyrtim
Rreth një e treta e popullsisë preket direkt nga ky ngërç i sistemit
Për një çështje duhet katërfishi i kohës që kërkohej para implementimit të reformës në drejtësi.

Për të kaluar të tre shkallët e gjyqësorit, një çështjeje i duhen 12 -15 vjet. Nëse çështja kthehet për rigjykim, pritja për drejtësi trashëgohet te brezi tjetër

Qytetarët ndërrojnë jetë në pritje të një drejtësie që nuk vjen kurrë.

Reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor: drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, drejtësi cilësore dhe e shpejtë për qytetarët.

Janë qytetarët shqiptarë ata që duhej të ishin përfituesit direktë të reformës në drejtësi. Përsa kohë, drejtësia e re nuk përmirëson jetën e tyre, ajo është e dështuar.