Komiteti i monitorimit për programin IPARD III, Denaj: Përgatitje për masat mbështetëse në bujqësi

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, kryesoi takimin e II-të të Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III 2021–2027, që u zhvillua në Tiranë.

Në takim morën pjesë anëtarët e Komitetit të Monitorimit që përfaqësojnë grupe të ndryshme interesi, shoqata të sektorit bujqësor, partnerë ekonomikë, socialë dhe mjedisorë si dhe përfaqësues nga ministri të tjera të linjës, struktura të IPARD-it, Komisioni Evropian, Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe donatorë ndërkombëtarë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Denaj tha se, ky komitet luan një rol thelbësor në mbikëqyrjen e zbatimit të programit dhe funksionon në përputhje me Marrëveshjen Financiare Kuadër të Partneritetit dhe Marrëveshjen Sektoriale.

Ndërsa gjatë mbledhjes, pjesëmarrësit u njohën me: Statusin e zbatimit të Programeve IPARD në vendet përfituese; Funksionimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit të strukturave IPARD; Progresin në kontrollet dhe auditimet e zhvilluara; Mbylljen e Programit IPARD II dhe hapat për zbatimin e Planit të Veprimit; Raportin Përfundimtar të Zbatimit të IPARD II (2014–2024) dhe Raportin Vjetor për vitin 2024; Përgatitjet për masat e reja të IPARD III; Ecurinë e vlerësimit ex-post të Programit IPARD dhe Zbatimin e Masës së Asistencës Teknike për vitin 2025.

“Programi IPARD synon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale në Shqipëri, duke përmirësuar standardet e jetesës, zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen e sektorëve për tregun konkurrues të Bashkimit Evropian”, tha Denaj, ndërsa e cilësoi programin me një ndikm të madh në mbështetjen e sipërmarjeve rurale në vendin tonë.

Takimet zhvillohen të paktën dy herë në vit dhe kryesohen nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.