“EU4Migration”, Lungarotti: Forcohen kapacitetet për menaxhimin e migracionit dhe azilit

Ministria e Brendshme dhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, si edhe IOM & UNHCR zhvilluan sot një aktivitet ku u prezantua projekti “EU4Migration”.

Koordinatorja e IOM për Ballkanin Perëndimor Laura Lungarotti u shpreh gjatë fjalës së saj se projekti ka për synim që ta afrojë Shqipërinë më pranë BE-së.

Ajo theksoi se bashkëpunimi me Frontex dhe agjenci të tjera të BE-së për menaxhimin e kufijve, bëjnë që ky projekt të forcojë kapacitetet kombëtare për menaxhimin e migracionit dhe sistemit të azilit.

“Më e rëndësishmja është që ky projekt është për njerëzit. Është për gjetjen e zgjidhjeve për gratë që ikin nga konfliktet apo udhëtojnë të vetme, për fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë, për migrantët që dëshirojnë të kthehen në vendin e origjinës sepse nuk mund të qëndrojnë ligjërisht në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ajo.

Lungarotti shtoi se “ky projekt bazohet në partneritete si partneriteti me qeverinë shqiptare, partneriteti me Bashkimin Evropian, por edhe partneritetet mes dy agjencive të OKB-së, të cilat po përdorin avantazhet e tyre për të mbështetur dhe mbrojtur njerëzit në lëvizje. Është një partneritet që synon ta sjellë Shqipërinë edhe një hap më afër Bashkimit Evropian, sepse, siç dihet, migracioni është një ndër dosjet kyçe të procesit të anëtarësimi”.

“Ne në IOM e shohim migracionin si një mundësi. Pse? Sepse bazohet në të drejtën themelore për lëvizje të lirë, dhe besojmë se, nëse qeveriset në mënyrë efikase, migracioni mund të sjellë vlera të shtuara dhe zhvillim për të gjitha vendet. Por natyrisht e pranojmë që migracioni mund të përbëjë një sfidë për politikëbërësit, për punonjësit në terren dhe për të gjithë ata që merren veçanërisht me migracionin e parregullt.

Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është përballur me shumë sfida, por ka arritur t’u përgjigjet dhe të shndërrojë një pjesë të tyre në mundësi”, vijoi ajo.

Koordinatorja e IOM për Ballkanin Perëndimor nënvizoi se “ky projekt “BE për Migracionin” për Shqipërinë e çon në një nivel tjetër këtë angazhim dhe do të thellohet më tej në të gjitha këto fusha ku Ballkani Perëndimor tashmë ka bërë përparime të ndjeshme”.

“Ka një komponent shumë të fortë për mbrojtjen efektive të migrantëve të cenueshëm dhe refugjatëve me fokus të veçantë, siç e përmendi edhe zëvendësministri, te fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë, gratë që udhëtojnë të vetme dhe viktimat e trafikimit. Po ashtu, projekti përmirëson dimensionin e zgjidhjeve, përfshirë kthimin dhe ri-integrimin, nga Shqipëria dhe nga Ballkani Perëndimor në mënyrë të sigurt, të bazuar në të drejta dhe me dinjitet dhe, shpresojmë, në mënyrë të qëndrueshme”, pohoi Langarotti.

“Së fundi, por jo për nga rëndësia, ai forcon bashkëpunimin rajonal në menaxhimin e flukseve të përziera migratore. Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të ndjeshëm në këtë aspekt vetëm në vitin 2024 kemi parë një ulje të konsiderueshme të hyrjeve të parregullta në të gjitha vendet e rajonit. Projekti ka gjithashtu një komponent të fuqishëm për përmirësimin e sistemeve dhe të infrastrukturës”, shtoi ajo.