EMRI+FOTO/ Arrestohet në Pogradec 27-vjeçari "vrasës", i gjenden në makinë drogë dhe armë me silenciator

Policia e Pogradecit ka arrestuar një shtetas me rrezikshmëri shoqërore pasi u kap në flagrancë teksa posedonte armë, municion luftarak dhe lëndë narkotike e tipit kokainë.

Në pranga ka rënë shtetasi 27-vjeçar i identifikuar si Fabian Muçollari të cilit iu sekuestrua edhe automjeti që qarkullonte.

Fabian Muçollari, nuk është një emër i panjohur për policinë pasi 20 shtator të vitit 2016 vrau me kallashnikov bashkëmosharin e tij Fabio Hila për shkak të një vajze.

Në 2017-ën Muçollari u dënua nga Gjykata e Korçës me 12 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar 24 vite burg për tre akuza: Vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe plagosje e rënde me dashje, por nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e 1/3 së dënimit dhe kërkesa përfundimtare e Prokurorisë ishte 18 vite burg të cilës i zbritet 1/3 e dënimit, si përfitim nga gjykimi i shkurtuar.

Ndërkohë burime bëjnë me dije se 27-vjeçari kishte dalë nga burgu në qershor të vitit të kaluar (2024).

Njoftimi:

Pogradec

Operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit të koduar "Cold Hand", u sekuestruan 1 pako me lëndë narkotike kokainë, 2 armë zjarri, municion luftarak, një shkop metalik, një shumë lekësh dhe një automjet.

Policia vë në pranga poseduesin e tyre, i dënuar më parë për "Vrasje" dhe "Vrasje e mbetur në tentativë".

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe i punës së pandërprerë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, për një shtetas që posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit, shtetas me precedent kriminal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, Seksionit të Krimeve të Rënda dhe Shqiponjat, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cold Hand”.

Gjatë operacionit, shërbimet Operacionale të DVP Korçë kapën dhe vunë në pranga shtetasin Fabian Muçollari, 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore.

Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit F. M. iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
Gjithashtu u sekuestrua dhe automjeti i tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.