Diskutohet ngritja e zyrës së rikuperimit të aseteve, goditje pushtetit ekonomik që vjen nga krimi

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, projektligjin “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”.

Zv/ministri i Brendshëm pohoi se ky ligj ka ardhur si kërkesë e vazhdueshme për ngritjen e kësaj zyre që në thelb është një nismë kundër krimit të organizuar.

Sipas Lamallarit, pranë drejtorisë së Policisë së Shtetit do të ngrihet kjo zyrë që do të bëjë gjurmimin dhe rikuperimin e aseteve që vijnë nga krimi i organizuar apo krimet e rënda.

“Kjo zyrë do të bashkëpunojë me homologët evropianë në çdo vend të BE-së, por edhe me rrjetin evropian të Zyrave të Rikuperimit. Ky projektligj përafron katër direktiva dhe një vendim kuadër duke përfshirë edhe një rregullore të fundit të BE-së të vitit 2024. Ky legjislacion do të kontribuojë ndjeshëm në luftën kundër krimit të organizuar, në pikët më të dobët që është pushteti ekonomik”, pohoi ai.

Ndërkaq, deputeti i opozitës, Dashnor Sula u ndal te projektligji për “Zyrën e rikuperimit të aseteve” dhe tha që situata e gjurmimit të aseteve kriminale ka qenë një propagandë me praktika jashtëzakonisht të këqija.

“OFL-ja ishte një gjueti shtrigash, pra një presionin që u bëhej individëve të caktuar për të grumbulluar sa më shumë asete nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Asetet që vijnë nga burime kriminale, pavarësisht se vendoset sekuestro duhet që të përfundojnë të gjitha shkallët e gjykimit për të dalë në konfiskim dhe më pas në shitje apo vendosje të pasurisë në shërbim të shtetit”, tha Sula.

Deputeti i PD-së, kërkoi që të mos ketë hapësira abuzive në nene të caktuara sa i takon këtij projektligji.