LUFTA/ Evakuohen 5 shqiptarë që ndodheshin në Izrael! Ministria e Jashtme: Tani ndodhen në Egjipt

Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit, informoi sot Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri.

Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro.

Ambasada falënderon autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë.

Edhe Praga dhe Varshava evakuan sot qytetarët e tyre që ishin të vendosur në Izrael.