Çefa i KAS sqaron procesin: Jo rinumërim, vlerësojmë nëse një kuti ka elementë për t’u shpallur e parregullt

Elvis Çefa, anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në një deklaratë për media tha se procesi aktual nuk ka të bëjë me rinumërim, por me vlerësimin e elementëve që mund të çojnë në shpalljen e një kutie votimi si të parregullt ose të pavlefshme.

Ai theksoi se vetëm KAS ka autoritetin për të vendosur mbi vlefshmërinë e votave, ndërsa detyra e numëruesve është vetëm të konstatojnë mungesën apo praninë e elementëve ligjorë në fletët e votimit.

Më poshtë, deklarata e plotë e Çefës:

"Vlerësojmë nëse kjo kuti ka elementë për t’u shpallur e parregullt ose e pavlefshme, jo rinumërim.

Sepse rinumërimi bën ndryshimin e tabelës, ne nuk do e bëjmë këtë.

Për sa kohë kjo votë është e parregullt, është e pavlefshme.

Numëruesi nuk e ka autoritetin për të thënë nëse një votë është e pavlefshme, në këtë proces atë e vlerëson KAS.

Numëruesi do të thotë: nuk e kishte një X element, ishte konstatuar e rregullt, por mungojnë vulat dhe pastaj ne e vlerësojmë në fund a duhet konsideruar apo jo.

Në varësi të kësaj, ata shkojnë te qendra e votimit, më pas te zonat zgjedhore dhe në këtë formë piramidale funksionon procesi".