Ja kur Erjon Veliaj do paraqitet në Gjykatën e Lartë! Sot në GJKKO raportojnë prokurorët e SPAK-ut për informacionet dy mujore
Me datën 8 korrik 2025, në orën 12:00, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e Erjon Veliajt, kryebashkiakut të arrestuar të Tiranë, lidhur me lirimin e tij nga burgu, për të cilën prej 4 muajsh mbahet i izoluar në qelinë e paraburgimit të Durrësit si person i rrezikshëm për hetimin ndaj tij lidhur me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave, mosdeklarimit të pasurisë.
Më herët kjo gjykatë nëpërmjet shortit ka përcaktuar edhe kryesuesen e kësaj seance, e cila është zgjedhur Albana Boksi.
“Medi Bici dhe Sokol Binaj janë anëtarët e tjerë të trupit gjykues. Rekursi shqyrtohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Lartë, kjo çështje i është nënshtruar gjykimit me procedurë të përshpejtuar, duke hyrë në kategorinë e çështjeve me prioritet”, sqaron gazetari Edison Vatnikaj për “Ora News”.
Përveç Veliajt, në Gjykatën e Lartë, rekurs kanë paraqitur edhe dy miqtë e Veliajt, biznesmenët Elman Abule dhe Shkëlqim Fusha.
Këta të fundit, sipas SPAK-ut janë njohje e afërt e Veliajt, ku kanë përfituar tendera të dyshimtë.
Pjesë e dosjes së korrupsionit është edhe Ajola Xoxa bashkë me biznesmenët e tjerë si: Gentian Sulaj, Meriam Palushi dhe Fatmir Bektashi.
Ndërkohë këtë të martë Gjykata e Posaçme do të zhvillojë një seancë të parashikuar për Erjon Veliajn, ku prokuori i posaçëm Ols Dado do të raportojë mbi informacionet dy mujore të hetimeve mbi këtë çështje.
Sipas burimeve, Veliaj do të kërkojë edhe zëvendësim të masës së sigurisë të vendosur ndaj tij.

