BE ngre alarmin për presion mbi drejtësinë pas arrestimit të Veliajt, Ora News zbardh një dokument të brendshëm të KE për Shqipërinë

Ky është një dokument pune konfidencial (jo zyrtar) që i drejtohet Këshillit të BE-së, konkretisht Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë për Anëtarësim.

Një rast i paprecedentë presioni institucional ndaj drejtësisë shqiptare ka ngritur alarmin në Bruksel.

Arrestimi dhe hetimi i Erion Veliajr, i konfirmuar nga Gjykata e Posaçme (SPAK) në shkurt 2025, ka shkaktuar reagime të forta nga ana e qeverisë dhe Kuvendit, të cilat janë interpretuar si përpjekje për të ndikuar dhe intimiduar institucionet e drejtësisë.

Komisioni Evropian nënvizon në raportin e fundit “Non-paper” se ky zhvillim ka ngritur shqetësime serioze mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

SPAK i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit me dy letra zyrtare ankuese për mungesën e masave të sigurisë gjatë protestës së zhvilluar para ambienteve të institucionit, duke rrezikuar sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK.

Reforma në drejtësi dhe vetingu – përfunduar në shkallën e parë, por vonesa dhe presione politike
Raporti vlerëson përfundimin e procesit të vetingut në shkallën e parë si një hap të rëndësishëm, me 282 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar ose të larguar dhe 350 të konfirmuar në detyrë.

Megjithatë, apelimet vijojnë dhe ka ende 110 çështje në pritje. Kërkohet përmirësim në vlerësimin profesional, emërimet meritore dhe ulja e stoku të çështjeve. Ndërkohë, presionet politike, sidomos ndaj SPAK-ut, mbeten një shqetësim serioz.

SPAK dhe lufta kundër korrupsionit të lartë – rezultate, por mungon bashkëpunimi institucional
Në 2024 u arritën 106 dënime përfundimtare për korrupsion, përfshirë ish-ministra, një ish-President të Gjykatës Kushtetuese dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë.

SPAK dënoi ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit me 4 vite burg për abuzim me fondet publike. Megjithatë, numri i kallëzimeve ndaj SPAK nga institucione të tjera është i ulët dhe kapacitetet mbeten të kufizuara për shkak të mungesës së stafit dhe infrastruktures.

Liria e medias dhe e shprehjes – përqendrim, mungesë pavarësie dhe kërcënime ndaj gazetarëve
Raporti vëren mungesë të një reforme të mirëfilltë ligjore për median, ndërhyrje politike në RTSH, përqendrim të pronësisë dhe transparencë të ulët mbi financimin.

Raportohen 45 raste të shkeljes së sigurisë së gazetarëve dhe 43 padi SLAPP kundër tyre. Qeveria pritet të sjellë ndryshimet ligjore për konsultim me Komisionin e Venecias.

Të drejtat e njeriut dhe barazia – progres i kufizuar, institucionet pa drejtues dhe diskriminim sistemik
Kuvendi nuk ka arritur të emërojë drejtuesit e Avokatit të Popullit dhe Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa zbatimi i rekomandimeve të tyre është në nivele të ulëta.

Mungon përputhja e legjislacionit për barazinë gjinore, personat me aftësi të kufizuara dhe të drejtat e komuniteteve rome dhe egjiptiane me standardet e BE-së.

Krimi i organizuar dhe droga – operacione të suksesshme, por mungon ndëshkimi sistematik
Megjithëse janë regjistruar arrestime të profilit të lartë dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë 127 milionë euro në 2024, ende mungon një praktikë konsistente e hetimeve financiare. Ligji për Byronë e Rikuperimit të Aseteve është vonuar dhe ajo ende nuk funksionon siç duhet.

Trafikimi i qenieve njerëzore mbetet problem serioz, me fëmijët që përbëjnë 66% të viktimave të identifikuara.

Migracioni, azili dhe kufijtë – përmirësime, por nevojë për struktura dhe politika më efikase
Shqipëria ka miratuar Strategjinë e Migracionit dhe ka bashkëpunuar me BE për riatdhesimet, por nuk ka ende struktura të posaçme për fëmijët e pashoqëruar.

Nevojitet forcimi i procedurave për azilin dhe vendosja e kapaciteteve të plota për trajtimin e rasteve të mbrojtjes ndërkombëtare.

Institucionet demokratike – polarizim politik dhe mungesë e kontrollit parlamentar
Raporti ngre shqetësimin për polarizimin ekstrem politik që ka paralizuar punën parlamentare. Kuvendi ka dështuar të zbatojë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe të emërojë drejtues në institucione të rëndësishme. Ligji për mediat gjatë fushatave dhe financimi i partive politike mbeten problematike.

Ekonomia dhe administrata – rritje e qëndrueshme, por sfida strukturore
Me një rritje ekonomike prej 4% në vitin 2024, Shqipëria ka bërë hapa përpara, por mungesa e investimeve kapitale, emigrimi i trurit dhe papunësia e të rinjve vazhdojnë të jenë pengesa serioze. Ekonomia informale mbetet e përhapur dhe konkurrueshmëria në sektorin industrial është e ulët.

Përfundim:
Komisioni Evropian njeh progresin e bërë nga Shqipëria në disa fusha kyçe si drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe menaxhimi i kufijve, por thekson se pa zgjidhjen e problemeve serioze si presioni ndaj drejtësisë, mungesa e reformave në media, dhe mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtave themelore, negociatat për anëtarësim nuk mund të ecin përpara. Kapitujt 23 dhe 24 mbeten të pazhbllokueshëm pa përmbushjen e standardeve të vendosura.