Noka: Zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në mjedis thellësisht të polarizuar sipas PE-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka foli sot për zgjedhjet e 11 majit, duke risjellë në vëmendje disa nga pikat e rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Noka tha, se sipas kësaj rezolute, zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri konsiderohen një farsë zgjedhore që do të turpëronte çdo qeveri gjysmë demokratike, jo më demokratike.
“Një farsë e tillë bën krenarë vetëm regjistrimet dhe narkoshtetet. Makthet e lënies së pushtetit duke marrë në konsideratë atë që do ndodhë pastaj e bën një regjim që zgjedhjet t’i shndërrojë në farsë, por farsë si kjo as ishte menduar ndonjëherë. Më e turpshmja, shteti që duhet të funksionojë për qytetarët u shndërrua në shtet elektoral. Bandat u lartësuan në shkallën sipërore të tyre dhe u shndërruan në kartele për t’i shërbyer farsës dhe tjetërsimit të votës”, tha ai.
Sipas Nokës, “patronazhimi si skemë kriminale, u aplikua tërësisht dhe të gjitha këto shkatërruan zgjedhjet”, ndërsa shtoi se detyra e opozitës është që të bëjë transparencë dhe të demaskojë shkeljet.
“Kur ne demaskojmë, ju thoni po dëmtoni imazhin e Shqipërisë, por nuk jemi vetëm ne. Rezoluta që kaloi në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian me unanimitet dhe që pritet të kalojë brenda korrikut në Parlament thotë që mediat u përdorën si tam-tame kundër opozitës dhe i shërbyen pushtetit”, vijoi Noka.
“Ju e keni futur këtë Parlament në destabilitet duke mohuar çdo dialog dhe duke e konsideruar kundërshtarin si armik. I vërsulni opozitës SKAP-in, GJKKO etj. Parlamenti evropian thekson në rezolutë nevojën për mbikëqyrje efektive parlamantare. Parlamenti është shndërruar në një noter qorr të çdo akti të qeverisë”, pohoi Noka.
Deputeti i opozitës u ndal edhe në një tjetër pikë të rezolutës, që sipas thekson faktin se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis thellësisht të polarizuar dhe garuesit nuk kishin kushte të barabarta.
Ndër të tjera, Noka tha se sipas së njëjtës rezolutë, nënvizohet fakti se Shqipëria duhet të mbrojë të drejtën e pronës. “Gjipeja tokë publike u kthye në tokë private. Ndërhyrje dhe presione të vazhdueshme nda sistemit gjyqësor, ndërsa PE-ja fshikullon drejtësinë si një drejtësi politike”, tha Noka në Kuvend.
