“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Puka

Puka mbetet një ofertë turistike e veçantë, mjaft e përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut) dhe për shumë veprimtari të tjera çlodhëse dhe argëtuese.

Qyteti i Pukës vitet e fundit është shndërruar në një prej atraksioneve më të veçanta turistike të veriut, duke u renditur në mesin e destinacioneve me turizëm gjithëvjetor.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje të Pukës së transformuar, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, pjesë e rubrikës “Shqipëria e bukur”.

Në këtë video shfaqen imazhet e liqenit në qendër të qytetit, krahas shëtitores me vende pushimi dhe bredha të lartë, ndërsa grupe të ndryshme artistike popullore performojnë vallet tradicionale shqiptare.

Investimet publike në Pukë e kanë shndërruar këtë qytet në një qendër urbane moderne, me standarde dhe vlera të një atraksioni të veçantë turistik për resurset dhe pozicionin gjeografik ku gjendet.

Përveç shëtitores edhe liqeni është kthyer në një destinacion turistik dhe ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana. Ajo mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra, për të përballuar më tej ditët e lodhshme të punës dhe zhurmat e qyteteve të mëdha.

Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizimit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit.