Integrimi në BE, Manja: Përmbushim piketat e ndërmjetme, gurthemel për avancimin e negociatave

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja zhvilloi sot një takim me institucionet e drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030 për vitin 2024.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Manja nënvizoi se ky takim monitorues i Strategjisë vjen në një moment kulmor për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, me hapjen e grupkapitullit të parë më 15 tetor 2024 dhe punën tonë të përbashkët në përmbushjen e piketave të ndërmjetme.

“Këto hapin rrugën për avancimin e mëtejshëm me të gjithë kapitujt e tjerë, ku deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj dhe presim që vjeshta të na gjejë me të tërë kapitujt e hapur. Ndaj kjo Strategji Ndërsektoriale përfaqëson një angazhim të qartë për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, efikas dhe të besueshëm, në përputhje me standardet dhe me angazhimet tona me BE”, shtoi ai.

Duke informuar mbi përparimet gjatë vitit 2024, Manja solli në vëmendje përfundimin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga KPK me 805 vendime.

Po ashtu ministri nënvizoi se është miratuar Strategjia Kombëtare për uljen e çështjeve të prapambetura 2024–2027, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit gjyqësor.

“SPAK dhe KLP kanë plotësuar vakancat për prokurorë, ndërsa ILD ka vijuar me rekrutimin e inspektorëve jomagjistratë dhe ndihmësinspektorëve. Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme. Zbatimi i mekanizmave të sinjalizimit dhe vlerësimet etike ndaj magjistratëve kanë hasur në vonesa. Po ashtu, përmbushja e objektivave të ndërmjetëm të përcaktuara në kuadër të procesit të integrimit evropian kërkon përpjekje të shtuara dhe koordinim të ngushtë ndërinstitucional në adresimin e masave të parashikuara në Strategji”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Manja nënvizoi se “është thelbësore të theksojmë se avancimi i procesit të integrimit, nën drejtimin dhe koordinimin e Ministrisë së Drejtësisë, ka konfirmuar vullnetin politik të Shqipërisë për të thelluar reformat në drejtësi dhe për të përmbushur pritshmëritë e Bashkimit Evropian”.

“Përmbushja e piketave të ndërmjetme është gurthemeli për avancimin e mëtejshëm të negociatave të anëtarësimit. Ato përfaqësojnë jo vetëm një detyrim ndërkombëtar, por mbi të gjitha një përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë për të ndërtuar një sistem drejtësie që garanton të drejtat themelore dhe barazinë para ligjit”, theksoi ministri.

Në 6 muajt e fundit, Manja bëri të ditur se “institucionet kanë përballuar së bashku mbi 60 orë raportim pranë shërbimeve të Komisionit Evropian dhe kanë përgatitur mbi 1000 faqe raportime me shkrim dhe dokumente”.