Hasani: Demokracia, një proces që kërkon ruajtjen e ekuilibrit mes lirisë dhe përgjegjësisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Kufijtë e të Drejtave të Njeriut: Dialogu mes Detyrimeve dhe Lirisë” – organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara WSGE.

Në fjalën e tij, Hasani theksoi se, demokracia nuk është një stad i përfunduar, por një proces i vazhdueshëm.

“Ajo kërkon ruajtjen e një ekuilibri të ndjeshëm mes lirisë dhe përgjegjësisë, mes të drejtave të individit dhe detyrimeve të shtetit, mes sovranitetit kombëtar dhe angazhimeve ndërkombëtare”, theksoi ministri.

Hasani gjithashtu nënvizoi rëndësinë që Shqipëria i jep ruajtjes së këtij ekuilibri duke fuqizuar individin e përgjegjshëm që ecën paralelisht me konsolidimin e institucioneve që mbrojnë interesin publik.