Nuri: Jemi në kulmin e punës për ankimimet, po zbulojmë prova të reja për farsën elektorale

Në një lidhje direkte për "Ora News", juristi, Franc Nuri, deklaroi se ekipi ligjor ndodhet në kulmin e punës për ankimimet zgjedhore dhe se po dalin në dritë prova të reja që hedhin dritë mbi parregullsitë në procesin elektoral.

"Po, është e vërtetë që ne, ekipi ligjor i PD-së ende nuk e kemi mbaruar punën tonë. Jemi në fazën më kulminante të punës. Nuk do të donim që të ishim në një fazë ankimimesh por jemi në këto kushte për shkak të kësaj farse elektorale.

Kështu që, është një vendim që unë e gjykoj të drejtë tashmë që ka ndodhur ankimimi i të gjithë rezultateve, në të gjithë qarqet e republikës së Shqipërisë sepse ndoshta mund të ishim dhe skeptikë në fillim, dora dorës me ecurinë e procesit dhe marrjes së provave kemi kuptuar që po zbulohen prova flagrante, shkelje të reja dhe informacione mjaft të dobishme që do i shpalosim shumë shpejt për publikun në lidhje me masakrën zgjedhore, farsën elektorale siç e etiketojmë ne në gjuhën politike", u shpreh Nuri.