15 minuta seancë plenare/ Kthupi: Parlament jofunksional, nuk është një nga 3 pjesët e pushtetit
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", juristi Rezart Kthupi analizoi gjendjen aktuale të Parlamentit, duke theksuar mungesën e bashkëpunimit dhe funksionimit të tij në interes të qytetarëve.
" Nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim nga çfarë kemi parë deri më sot. Është i njëjti parlament, janë të njëjtit njerëz, e njëjta qasje, e njëjta mënyrë sjelljeje, dy palë që kur ju duhet të bëjnë marrëveshje bëjnë marrëveshje dhe pastaj pjesën tjetër të kohës shkëmbejnë këto replikat apo bëjnë këto luftërat e brendshme dhe të jashtëme të Parlamentit, që në fakt nuk ka asnjë lloj gjëje në raport me interesin qytetar.
Problemi i parë është kultura politike që ne kemi. Kultura politike nuk është një kulturë e bashkëpunimit në interes të qytetarëve dhe kur flas për bashkëpunimin do të thotë që ne mund të kemi programe politike shumë të ndryshme por janë disa qasje unitare, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të vetë shtetit Shqiptar dhe për të cilat pozita dhe opozita duhet të gjejnë gjithmonë forma bashkëpunimi.
Parlamenti jonë ka kohë që është jofunksional. Nuk është jofunksional vetëm për shkak të njerëzve që janë brenda tij, por është jofunksional për mënyrën sesi ndërtohet trupa e parlamentarëve. Për sa kohë parlamenti ka dalë nga funksioni i tij primar që është ai funksioni legjislativ nga njëra anë dhe funksioni kontrollues i qeverisë nga ana tjetër, nuk kemi më atë Parlamentin klasik që duhet të ishte një nga 3 pjesët e pushtetit", u shpreh Kthupi.
