Gjermania i kërkon Shqipërisë të punojë më fort për t’u anëtarësuar në BE/ Zëvendës-ambasador i Gjermanisë: Fokusi te reformat, jo te data!

Zëvendës-ambasador i Gjermanisë në Shqipëri, Thilo Schroeter, ka deklaruar se në Shqipëri, synimi ambicioz është anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. Duke folur në takimin e organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Schroeter theksoi se Gjermania mirëpret këtë ambicie por fokusi duhet të jetë tek reformat konkrete dhe jo te datat. Më tej Thilo Schroeter theksoi se fokusi i Procesit të Berlinit te integrimi rajonal është një plotësues i rëndësishëm ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe është plotësisht i justifikuar.

“Në Shqipëri, synimi ambicioz është anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. Dhe mund të them që Gjermania mirëpret këtë ambicie. Jemi shumë të kënaqur për të. Por megjithatë, besojmë se është më e rëndësishme të fokusohemi në reforma konkrete, në përparimin real në procesin e përafrimit dhe forcimin e institucioneve sesa në datat.

Prandaj, fokusi i Procesit të Berlinit te integrimi rajonal është një plotësues i rëndësishëm ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe është plotësisht i justifikuar. Dhe besoj se kjo theksohet qartë edhe nga fakti që integrimi rajonal është një komponent thelbësor i planit të rritjes, në shtyllën e dytë  komponenti i integrimit rajonal”, tha ambasadori.