Universiteti i Tiranës dhe ai Panamerican i Meksikës, bashkëpunim në fushën e drejtësisë

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha së bashku me përfaqësues të stafit akademik të Fakultetit të Drejtësisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin Panamerican në Guadalajara, Meksikë.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, me mbështetjen e Ambasadorit të Meksikës në Itali dhe jo rezident në Shqipëri, Carlos Eugenio Garcia de Alba.

Delegacioni shqiptar u prit nga rektori i këtij institucioni, Abraham Mendoza Andrande dhe përfaqësues të lartë akademikë.

Gjatë takimeve, palët ritheksuan angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e drejtësisë, përmes shkëmbimeve akademike, bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe organizimit të përbashkët të aktiviteteve akademike.

Në kuadër të programit, pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë zhvilluan leksione të hapura dhe vizituan ambientet laboratorike të kampusit.

Universiteti Panamerican, një ndër institucionet private më prestigjioze në Meksikë, është i njohur për cilësinë e kërkimit shkencor në fushën juridike dhe bashkëpunimet me universitete të njohura ndërkombëtare.