Vijon puna për rehabilitimin e segmentit rrugor Vorë – Qafë Kashar
Përgjatë segmentit rrugor Vorë – Qafë Kashar, gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit pa penguar qarkullimin e mjeteve, po kryhen punimet e rehabilitimit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se këto punime së bashku me plotësimin e sinjalistikës horizontale do të rrisin sigurinë rrugore, do të përmirësojnë lëvizjen e mjeteve dhe do të lehtësojnë trafikun.
Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, do ta kthejë atë nga autostradë e kategorisë “B”, në autostradë të kategorisë “A”.
Shtimi me 4 korsi jep mundësinë për shpejtësi deri në 130 km dhe e sjell në parametrat e të gjitha autostradave të reja që po ndërtohen. Segmenti i parë ku po ndërhyhet është 6 km, nga Kthesa e Kamzës deri në Mbikalimin e Rinasit.
Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës.
Ajo ishte parashikuar për një fluks makinash prej 40 mijë mjetesh në 24 orë, ndërsa tani në pikun e fluksit shkon edhe 94 mijë mjete. Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë rrugës kushton 250 milionë euro.
