Rodrygo i pakënaqur te Real Madridi, pritet takim vendimtar për të ardhmen
Situata e Rodrygo-s te Real Madridi është bërë e ndërlikuar. Sipas raportimeve të ESPN, sulmuesi brazilian ndien pakënaqësi për rolin e tij në skuadër, duke mos preferuar të luajë në krahun e djathtë, vend që ia lë Viniciusit në të majtë.
Shtuar kësaj, Rodrygo nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit, përfshirë edhe El Clásico-n, ku mbeti në stol gjatë gjithë takimit.
Edhe pse Carlo Ancelotti e justifikoi mungesën me probleme shëndetësore dhe një shqetësim muskulor, situata mbetet e tensionuar.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e lojtarit janë takuar me presidentin Florentino Perez, për të diskutuar të ardhmen e tij dhe rolin që do të ketë në projektin e ri.
Rodrygo nuk dëshiron të largohet dhe ka kontratë deri në vitin 2028, por vendimtare do të jetë vendosmëria e trajnerit të ardhshëm, Xabi Alonso, për rolin që i rezervon në skuadër.
Vetëm pas kësaj do të merret një vendim përfundimtar për të ardhmen e 24-vjeçarit.