Inter, rikthehet në modë Zirkzee, Ausilio e dëshiron në huazim me të drejtë blerjeje

Në pritje të sprintit final në kampionat dhe finales së madhe të Ligës së Kampionëve, tek Interi po punohet intensivisht në prapaskenë për të planifikuar merkaton e ardhshme.

Reparti ofensiv është një prej sektorëve që kërkon përforcime dhe ndër shumë emra që qarkullojnë në zyrat e klubit, në orët e fundit është rikthyer fuqishëm në skenë emri i Joshua Zirkzee.

Pas një sezoni të vështirë te Manchester United, sulmuesi holandez është në kërkim të rilindjes dhe po konsideron seriozisht një rikthim në Serinë A, këtë herë me fanellën zikaltër.

Sipas asaj që raporton ‘Corriere dello Sport’, drejtori sportiv Piero Ausilio ka në mendje formulën e huazimit me të drejtë blerjeje – një mënyrë për ta testuar nga afër për një sezon të plotë dhe më pas për të vendosur përfundimisht për blerjen e tij.

Zirkzee, i blerë nga “Djajtë e Kuq” për 40 milionë euro, përfiton një pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon plus bonuse – shifra që përputhen me filozofinë e re financiare të fondit Oaktree, i cili kërkon investime të mençura dhe të qëndrueshme.

Vetëm 23 vjeç, Zirkzee shihet si një element i rëndësishëm si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e klubit.

Por holandezi nuk është i vetmi emër që ndodhet në radarët e merkatos zikaltër. Përveç ndjekjes së afërt të talentit Nico Paz dhe zhvillimeve rreth pistës Jonathan David, Ausilio po shqyrton edhe alternativa të tjera.

Nëse Napoli rikthehet me interes për Davide Frattesi-n, mund të hapet një mundësi për transferimin e Giacomo Raspadori-t në Milano.

Në sfond qëndrojnë edhe dy emra të tjerë: Castro dhe i riu i Parmës, Bonny, të cilët konsiderohen si opsione për rolin e sulmuesit të katërt në skuadër.

Interi po ndërton me kujdes të ardhmen – dhe merkatoja pritet të jetë e gjallë dhe strategjike.