“Rekord!”, Rama: Fati europian është në duart tona më 11 maj! Pasaporta evropiane është për t’u ngulur këtu!
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me rubrikën “Sy m’sy”, me gjasë e fundit deri në zgjedhje në serinë e komunikimeve me komentuesit mëngjeset e së martave dhe të enjteve.
Rama njoftoi sot se është aprovuar hapja e grup-kapitullit tjetër në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërsa theksoi se deri më tani janë hapur 16 grupkapituj dhe së shpejti do të hapen edhe 8 të tjerë, duke e çuar numrin total në 24 nga 35 gjithsej.
Ai theksoi se ky progres i shpejtë është tregues i angazhimit të Shqipërisë dhe vullnetit politik për të përmbushur standardet europiane.
“Grupkapitulli tjetër i negociatave u aprovua për t’u haur. Kemi hapur 16, hapim edhe 8 të tjerë tani, bëjnë 24, mbeten edhe 11 për t’u hapur.
Kam besim dhe shpresoj e uroj që me fuqinë e re të 11 majit hapim edhe të tjerat brenda këtij viti. Ky do të ishte një rekord sepse asnjë vend nuk i ka hapur të gjitha për një vit. Fati europian është në duart tona”, tha ai.
Rama ka ndarë mendimin e tij lidhur me emigrimin dhe ardhmërinë e Shqipërisë, duke theksuar se pasaporta shqiptare është një mundësi për të qëndruar dhe kontribuar brenda vendit, jo për të ikur.
Ai është shprehur se “pasaporta nuk është për të ikur, por për t’u ngulur këtu, në vendin që na ka caktuar Zoti, në mes të Evropës, një nga popujt më të vjetër.”
Kryeministri ka kritikuar ashpër ata që dyshojnë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo nuk është një çështje opinioni, por një angazhim që ka gjetur mbështetje edhe nga institucionet evropiane.
Ai ka theksuar se argumentet për arritjen e qëllimit për anëtarësim në BE janë të mbështetura nga fakte dhe se shumë nga ata që kundërshtojnë këtë proces duhet të përpiqen të kuptojnë realitetin dhe të merren me argumente të qëndrueshme.
“Po mirë mo, se ti ke bindjen tënde, por kjo nuk është çështje opinioni. Do të luftosh me faktet, por nuk bëhet,” ka theksuar ai, duke u përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj kritikave të komentuesve.
Rama ka shtuar gjithashtu se është më shqetësuese të “vish keq për ata që besojnë,” duke iu referuar atyre që mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, dhe i ka quajtur këta njerëz të qesharakë nëse e kundërshtojnë këtë rrugëtim.


