Bazë armësh në Shkodër/ 61-vjeçari kapet me 11 pistoleta, furnizonte grupet kriminale
Policia thotë se ka zbuluar në fshatin Rrencë të Shkodrës një bazë të furnizimit me armë të grupeve kriminale.
Në total u kapën 11 pistoleta, 2 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 1 silenciator, kapsolle detonatori me fitil zjarr përcjellës, dhe 2 antiplumba.
Po ashtu bëhet e ditur se në pranga ka rënë C. Jaku 61-vjeçar, pronar i banesës dhe person me precedent penal për armëmbajtje pa leje.
Po ashtu bëhet e ditur se të 11 pistoletat do t’i nënshtrohen ekspertizës së Institutit të Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale.
Për këtë të dhënat do të krahasohen me gjurmët në gëzhojat që janë sekuestruar në ngjarje të mëparshme kriminale apo dhe me gjurmë të gishtave.
Përmes tyre do të tentohet të zbulohen autorë të ndryshëm dhe shtetas të tjerë të implikuar në këtë rast. Po ashtu dosja tashmë i ka kaluar prokurorisë së Shkodrës.
