Rekord “Guiness” dhe panair, Himara çel sezonin turistik
Himara çel sot sezonin turistik me festivalin dyditor “Magji mbi Jon”. Në kuadër të çeljes së sezonit do të mbahen edhe një sërë aktivitetesh të ndryshme.
Aktiviteti i parë ishte ai në orën 9:00 ku njeriu i rekordeve botërore dhe të Guinness-it, Agim Agushi, pas shumë sukseseve edhe ndërkombëtare, ishte në Himarë ku edhe fitoi rekordin e 16-të botëror të xhonglimit të topit me kokë duke veshur 14 bluza në një hapësirë vetëm 1 m2.
Në një performancë në qendër të qytetit bregdetar, Agushi ia ka arritur të fitojë certifikatën botërore, duke lënë një shenjë të suksesit të tij edhe në qytetin bregdetar.
“Është rekordi i 16-të, i cili u arrit në Himarë, në një disiplinë e cila është kërkuar nga selia e librit të Guiness në Londër, veshja e 14 fanelave duke xhongluar me top dhe duke qëndruar në një hapësirë 1 m2.
Prej sot Himara do të jetë në librin e Guinness. Certifikatën me emrin e Himarës do t’ia sjell kryetarit të bashkisë”, tha Agim Agushi.
Kryetari i bashkisë Himarë shprehet i lumturi që Agim Agushi ka zgjedhur Himarën për këtë rekord, duke e nisur me këmbë të mbarë çeljen e sezonit turistik
“Kënaqësi për mua dhe Himarën. Ky nuk do të jetë rekord i Agimit, por rekordi i Agim Agushit në Himarë”, tha Vangjel Tavo.
Agim Agushi është fitues edhe i rekordeve të tjera Guinness në disiplinat e lira, pasi ka mundur të lërë pas polakun Dariusz Kolodziczyk.
Gjithashtu, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo vizitoi sot edhe panairin e ngritur në zemër të Himarës “Shije, art dhe traditë”.
Panairet e çeljes së sezonit sjellin prodhime vendase, zeje artizanale dhe shumë ngjyra që pasqyrojnë shpirtin e jugut, theksoi Tavo në një postim në rrjetet sociale.
