“Altin Dumani, prokuror me integritet dhe kurajoz”, Rama në Gjirokastër: Nuk erdhi nga hëna, shpatën e ndëshkimit e kalonin...
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Gjirokastër ku zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat e qytetit në kuadër të fushatës elektorale.
Rama: U thashë pensionistëve kush e ka dëgjuar emrin Altin Dumanin? Të tërë e keni dëgjuar. Tani Altin Dumani është një prokuror me integritet, profesionist dhe kurajoz. Meriton respektin.
Por çështja është që Altin Dumani nuk erdhi nga hëna këto 3-4 vjet.
Ishte këtu në Shqipëri dhe prej vitesh punonte prokuror. Si ka mundësi që as unë as ju nuk e dinim që ekzistonte një person me emrin Altin Dumani.
Si ka mundësi që ky person me kurajo nuk i ka thënë kaq vite një njeriu me pushtet hajde pak te zyra se kam pak punë. Dhe si e bën ky sot, çfarë e bëri dallimin? Sepse nuk ishte puna që nuk thërriste njeri Dumani.
Që nga 1912 kur u ngrit flamuri, nuk kishte ndodhur që një person politik të jepte llogari përpara një prokurori. Edhe pas diktaturës kur për turpin tonë burgosën politikisht, e burgosi i pari vendit, të parin e opozitës.
E kundërta jo. Madje, këtu në këtë vend para 10-12 vjetësh ka ndodhur që i pari vendit të bëjë sehir, në vrasjen e protestuesve përpara dritares së vet.
Dhe kur prokurori tentoi të çojë fletë thirrje drejtorëve të policisë ai që ishte para meje doli dhe tha ajo është lavire. E imagjinoni sot ju këtë?
Nuk ndodh. Ça ka ndryshuar? Ka ndryshuar diçka shumë thelbësore, Shqipëria. Prandaj thonë shumica e popullit vendi po shkon në drejtimin e duhur.
Ne PS, morëm një vendim që nuk e ka marrë kush përpara. Shpatën e ndëshkimit që ishte në zyrën time, e kalonin njëri pas tjetrit. E mbanin shpatën aty.
