Basha: Do të ndërtojmë katër kampuse të teknologjisë së informacionit
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, gjatë një takimi sot me të rinj që votojnë për herë të parë, prezantoi disa prej pikave kryesore të programit të këtij koalicioni.
Basha gjatë fjalës së tij theksoi ndërtimin e katër kampuseve teknologjike në Tiranë-Durrës, Korçë-Elbasan, Shkodër-Lezhë dhe Vlorë-Fier, me një investim prej 200 milionë eurosh në vit për trajnimin e 25 mijë të rinjve në katër vite.
“Në programin tonë që e kemi shpalosur më 1 qershor të vitit të shkuar, investimi publik më i madh është ndërtimi i katër kampuseve për teknologji informacioni, që do të hapen në akset Tiranë-Durrës, Korçë-Elbasan, Shkodër-Lezhë dhe Vlorë-Fier.
200 milionë euro çdo vit për të trajnuar 25 mijë të rinj dhe të reja në krye të katër viteve, që t’i fusim në tregun e teknologjisë së informacionit”, tha Basha.
Basha foli gjithashtu për mbështetjen ndaj çifteve të reja me subvencione për kredi dhe qira banesash, duke synuar lehtësimin e themelimit të familjeve të reja. Një tjetër propozim tjetër është rritja e bonusit për fëmijët, deri në 20 mijë euro për fëmijën e tretë.
“Angazhimet tona për familjen janë këto: 30 mijë çifte të reja do të përfitojnë zbutje të kredive për të blerë një banesë, apo të qirasë për një banesë, me qëllim që të themelojnë familjen e tyre.
Një nga pengesat kryesore për të themeluar një familje për një çift të ri, është se banesat janë shumë të shtrenjta, si në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Zbutja e interesave të kredisë, marrja përsipër e riskut kolateral, apo zbutja e qirasë, për ata që do të jenë më qira, ka një faturë financiare.
Për 30 mijë çifte të reja, kjo faturë financiare përllogaritet të jetë afro 45 milionë euro.
Gjithçka që ne kemi marrë përsipër me programin tonë, është e kostuar dhe e futur në një kuadër të përgjithshëm i cili është 100 për qind i përputhur dhe i audituar nga auditues gjermanë”, tha Basha.
Basha gjithashtu tha se dreka shtetërore për nxënësit dhe më shumë orë mësimi pas shkollës për zhvillimin e aftësive teknologjike, artistike dhe sportive.
Basha tha se të gjitha këto politika janë të audituara nga ekspertë gjermanë dhe të përllogaritura financiarisht, duke u zotuar se do të realizohen përmes luftës ndaj korrupsionit.
“Investimi i tretë po në ndihmë të familjeve, është që fëmijët nga klasa e parë deri në fund të shkollës do të përfitojnë drekë shtetërore, është një kosto e reduktuar për familjet, për prindërit.
Dhe do të përfitojnë 3 apo 4 orë të tjera në ambiente shkollore të rinovuara, të investuara ku do të mësojnë kompjuterin, teknologjinë e informacionit, gjuhët e huaja, do të angazhohen në art apo në sport.
Pra, një sistem që në perëndim e përdorin me sukses që fëmijët të rriten sa më të mirarsimuar, sa më të shëndetshëm dhe sa më të kulturuar”, tha Basha.
