Berisha i përgjigjet Ramës: Nuk shkohet në BE me kriminelë si Taulant Balla. Asnjë votë krimit
Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një takim nga PD ASHM në Pukë, ku fjalen e nisi fillimisht me një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut.
Nga Puka në prezantimin e kandidatëve, kryedemokrati Sali Berisha shprehet se 11 Maji është dita e vërtetë e çdo shqiptari, është ora, prova e tij, para së gjithash dhe mbi të gjitha, e dashurisë për një vend që po shpërbëhet.
Për Berishën, 11 Maji është një ditë për një kthesë vendimtare për shqiptarët që ëndrrat dhe të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri.
FJALA E BERISHES
Të dashur miq, unë sjell këtu në Pukë mesazhin e fitores. Sjell tek ju optimizmin, besimin, vendosmërinë e shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie për një fitore historike më 11 maj.
Fitore me të cilën qytetarët shqiptarë ndahen nga një e keqe e madhe, që i kaploi ata në këto 12 vite, duke bërë që Shqipëria të jetë i vetmi vend në Europë, ku të rikthehet një diktaturë e re, tashmë jo një diktaturë e bazuar në ideologjinë marksiste, por një diktaturë e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.
11 Maji është dita e vërtetë e çdo shqiptari, është ora e tij, është prova e tij, para së gjithash dhe mbi të gjitha e dashurisë për këtë vend që po shpërbëhet.
Sot Puka, një vend me pasuri përrallore, mbitokësore dhe nëntokësore, një vend plot ujëra, minerale, pyje, bimë mjekësore dhe çdo gjë, braktiset çdo ditë dhe u braktis këto 12 vite sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Sa asnjë pushtim, sa asnjë diktaturë tjetër.
Si Puka, e gjithë Shqipëria.
Në 10 vite, nga viti 2014 deri në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Pra, në qoftë se ky vend ka një zë, në qoftë se një tokë ka një klithmë, ky zë dhe klithmë anembanë tij ushton, më shpëtoni, po mbetem në shkretëtirë.
Imagjinoni ju se ç’do ndodhë me shqiptarët në 4 vite katastrofe të re. Kurrë shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë.
11 Maji është një ditë për një kthesë vendimtare për shqiptarët që ëndrrat e tyre t’i vendosin në Shqipëri.
Është një ditë për një kthesë vendimtare që këta të rinj, ëndrrën e tyre shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri.
Është një ditë për mbarë kombin që miliona shqiptarë që u larguan nga Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve, të rikthehen, të vijnë për të ndërtuar në Shqipëri ëndrrën e tyre dhe për të vendosur Shqipërinë në rrugën e madhështisë së saj.
Miqtë e mi, 11 Maji është një fitore jo vetëm e opozitës, e koalicionit për Shqipërinë Madhështore, por është një fitore për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit, dinjitet.
Është fitore për çdo shqiptar që nuk do të qajë çdo ditë me lot të ftohta mjerimi nga skamja e madhe ku e ka zhytur vjedhja e qeveritarëve.
Është një fitore për çdo demokrat, socialist, të paparti që beson se në këtë vend mund të jetohet me dinjitet. Se pasuritë e këtij vendi mund të begatojnë qytetarët e Pukës dhe mbarë Shqipërisë.
Miqtë e mi, këto 12 vite ishin vitet e një rrokullisje shumë të rëndë, shumë të pamerituar.
Në vitin 2013, pukjanët, shqiptarët nuk kishin rroga të larta, por ama i kishin më të larta se 6 kombet e tjera të rajonit. I kishin më të larta edhe se rumunët dhe bullgarët.
Në këto 10 vite, ata na tejkaluan ne 3 herë me pensione dhe na tejkaluan rreth dy herë me rroga.
Por jo vetëm kaq se kjo është vetëm njëra anë e zezë e medaljes së kësaj qeverisje.
Ana tjetër po kaq e zezë e kësaj medalje, se këta burra dhe gra, me këto pensione dhe rroga, më të ulëtat në rajon, duhet të shkoni në dyqane për të blerë mallra me çmimet më të shtrenjta.
Gjatë këtyre 10 viteve, çmimi i ushqimeve u dyfishua.
Dhe sot, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, pensionisti me 143 mijë lekë pension, duhej të kishte një pension 390 mijë lekë.
Pra duhej të kishte një pension minimumi 2 herë e gjysmë më të lartë.
Po kështu rrogëulëti.
Po kështu rrogëtari me rrogë të mesme.
Çfarë ndodhi? Si ne ramë në këtë mënyrë? Pse të tjerët na tejkaluan me pensione tre herë? Pse malazezi që merrte në vitin 2013, 138 mijë lekë pensionin, pra më të ulët se shqiptari, e merr sot 450 mijë lekë pensionin?
Pse maqedonasi që merrte në vitin 2013 një pension 130 mijë lekë, merr sot një pension 330 mijë lekë?
Pse serbi, që merrte në vitin 2013 një pension nën 140 mijë lekë, merr sot 405 mijë lekë pension?
Pse këto? Si ka mundësi?
Ka vetëm një arsye. Qeveritë e këtyre vendeve, paratë më së pari ua kthejnë atyre që ua marrin, ua kthejnë qytetarëe. Ua kthejnë me rroga, pensione, ndihmë ekonomike dhe shërbime.
Ftoj çdo socialist, çdo të paparti të na dëgjojë.
Kthehemi pak në Shqipëri. Çfarë ndodhi në janar të këtij viti kur në parlament erdhi buxheti prej 8 miliardë euro? Edi Rama, i zhytur me ministrat e tij në vjedhje dhe korrupsion të paimagjinueshëm, pati pashpirtësinë të ndajë nga 8 miliardë euro për 760 mijë gra e burra të thinjur, të moshuar, gjithsej 16 milionë.
Dhe kur ne, kërkuam të votohet ligji i minimumit jetik, kjo tha na çon në humnerë. Çfarë humnere mor i pashpirt?
Pse nuk ra në humnerë Mali i Zi që i trefishoi pensionet? Pse nuk ra në humnerë Maqedonia, Kosova apo Serbia? Pse nuk ramë ne në humnerë kur pensionet që ishin 36 mijë lekë, i bëmë 82 mijë lekë? Pse nuk ramë në humnerë ne kur pensionet mesatare i rritëm me 60 përqind dhe pensionet maksimale me 40 përqind?
Pse nuk ramë në humnerë ne kur dyfishuam rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve?
Pra, miq kjo betejë është një betejë kundër kësaj humnere që këta thelluan duke vjedhur shqiptarët çdo ditë e më shumë.
Sepse rrogat e larta i rritën, i trefishuan, i pesëfishuan.
Sot jemi i vetmi vend që di unë, në Europë dhe në botë, ku një zyrtar merr 30-40 pensione rrogë. Merr 7 mijë euro rrogë.
Nuk ndodh kund në botë.
Pra, çfarë duhet të bëjmë ne?
100 ditët e para, jam këtu për t’u dhënë fjalën e nderit se në Pukë, se në Shqipëri nuk do ketë pension ndën 200 euro.
Nuk do ketë ndihmë ekonomike nën 200 euro.
Nuk do ketë pagesë papunësie nën 200 euro.
Pensionet e tjera do rriten me 20 përqind dhe rroga minimale do kalojë në 500 euro.
Çfarë bëjmë ne me këtë? Ne me këtë u kthejmë paratë ju? U kthejmë paratë qytetarëve se paratë janë tuajat.
Dhe jo vetëm kaq, por çdo pensionist dhe çdo rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit. Kjo do të thotë se ushqimet dhe gjërat bazë do i blini me 20 përqind më pak çmimin. Do merrni mbrapsht TVSH-në.
Nafta do zbresë në nivelin e çmimit në Kosovë dhe Maqedoni.
Më shkruante një mik dje, po kthehem nga Maqedonia, mbusha makinën, çmimi i naftës 1 mijë e 30 lekë. Këtu 1 mijë e 700 lekë.
Kjo sepse Edi Rama u taton ju në naftë 1.1 euro në çdo litër naftë.
Miq, mund të ndodhë t’u thotë ndonjë mik i juaji se Berisha e ka për politikë.
Jo, i thoni, po ta kishte për politikë, nuk do e dërgonte ligjin para një viti në parlament për minimumin jetik.
Po të votohej, fitonte ai që e votonte, ai që kishte shumicën. Ne sigurisht e propozuam, por meritën e merrte ai.
Edhe para dy javësh e ftova, hajde mblidh parlamentin ta votojmë, se nuk dua merita, por dua që shqiptarët të trajtohen me dinjitet. Më thoshte Muharrem Gashi nga Puka, punova 45 vjet, marr 67 mijë lek pension.
Kjo duhet të marrë fund ndaj dhe ne do u rikthejmë paratë ju.
Ku do gjenden? Beteja e 11 Majit është beteja më epike, është beteja më legjendare që njerëzit e lirë kanë bërë kundër hajdutëve.
Këto para janë që të gjitha, por problemi është se i vjedhin.
Sepse nuk do zhduken më 130 milionë euro me djegësin e Tiranës. Dhe paratë nuk i kanë marrë as drejtorët, as supervizorët, paratë i ka marrë vetëm ai që firmosi për to dhe me ligj është i detyruar të kontrollojë çdo sasi, dhe ky është Edi Rama.
Dhe këto janë 130 milionë.
Paratë do i gjejmë sepse nuk do përzëmë ne për dufe dhe inate personale pronarë televizionesh siç ka ndodhur me Beketin dhe të gjobitet Shqipëria 110 milionë euro.
Kryeministri i vendit nuk do mund të udhëtojë më me avion në dispozicion. Jo, do udhëtojë si ju me avionë të linjave të zakonshme. Por të shpenzosh 21 milionë euro për dy vite në 140 udhëtime, do të thotë se je i pashpirt, do të thotë se ka të verbuar luksi dhe pasuria dhe nuk të bie ndërmend se ekzistojnë qytetarët dhe hallet e tyre.
Nuk do të hapë kurrë kryeministri shishe vere 33 mijë euro.
O miq, shishen e tillë e hap një njeri pa moral, i cili nuk ngurron për të blerë Kopshtin e Edenit në oborrin e pasëm të kryeministrisë 5 milionë euro, të cilin nuk e ka blerë as mbreti i Anglisë, as perandori i Japonisë, as presidenti i SHBA apo kancelari i Gjermanisë.
E blen kryeministri i vendit më të varfër, i qytetarëve me rrogat më të ulëta, i pensionistëve me pensionet më të ulëta.
E blen se është i biri i të atit, i cili i urren njerëzit.
I cili është mëkuar me urrejtje për njeriun.
I cili është mëkuar në fëmijër i me urrejtje për të tjerët dhe me karta banka për sërën e tij.
E bën një njeri për të cilin nuk ekzistojnë të sëmurët, nuk ekzistojnë sëmundjet.
Që duke vjedhur, lë spitalet pa ilaçe.
Deklaroi se ajo që ndodhi në onkologjik është krim kundër njerëzimit dhe nuk merr asnjë qindarkë nga arka e shtetit për t’i dhënë fund atij krimi kundër njerëzimit.
Po aty krimi kundër njerëzimit vazhdon e vazhdon.
Pra, a vazhdohet kështu?
Ky është njeri që nuk ka asnjë normë.
Miq, u premton pasaportën evropiane.
Pasaporta evropiane e tij është pasaporta më kallpe në Europë.
Me Edi Ramën nuk shkohet kurrë në Europë.
Me Edi Ramën, mbi 1 milion e 99 mijë shqiptarë ikën nga Shqipëri dhe morën në Europë, pasaportën evropiane.
Pasaporta evropiane e Ramës është si djegësi i Tiranës.
Është si premtimi për shëndetësinë falas.
A e dini ju që vetë INSTAT-i i tij deklaroi javën e kaluar se shqiptarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor 820 milionë euro. Shpenzojnë për frymë 410 euro për frymë në vit. A e imagjinoni? Shpenzojnë për ilaçe dy herë më shumë se për bukën e gojës.
Çfarë bëjnë? Nuk i blejnë, rrinë pa mjekim ose në mëshirë të familjarëve të tyre që t’ua dërgojnë.
Edhe ato të tjerat që ua dërgojnë janë marka Doshi-Nushi.
Në vend, të gjitha me niseshte pa efekte.
Ilaçe mashtrimi. Ua jap fjalën ju se javën e parë dyllin Doshi dhe Nushit dhe në Shqipëri nuk do mund të futen kurrë ilaçe të tjera përveç atyre që tregtohen në së paku dy vende të BE.
Dhe jemi këtu, u premtoj ju, por u premtoj edhe pukjanëve dhe shqiptarëve të mrekullueshëm në diasporë se pas 11 Majit, nuk do porosisë kush ilaçe jashtë shteti sepse do vëmë këtu në Shqipëri listën italiane të rimbursimit.
Ato ilaçe që shteti italian, vend i pasur, u rimburson qytetarëve të tyre, ato do u rimbursojë qeveria e koalicionit tonë shqiptarëve.
Ndaj dhe miqtë e mi, kjo që u ndala gjer tani është të themi paketa e dhembshurisë. Është pra paketa e shpirtit dhe zemrës dhe solidaritetit që kemi për njëri-tjetrin.
Po kjo është vetëm shtylla e parë.
Made in Albania. Puka, prodhim, prodhim, prodhim.
Sot pasuritë këta qeveritarë dhe fondet i plaçkisin, i ndajnë njëri me tjetrin.
U garantoj se fondet dhe pasuritë do shndërrohen në mirësi për qytetarët shqiptarë.
Dhe jo vetëm në rroga dhe pensione. Por ata do jenë përfituesit kryesorë të pasurive të pamasa që kemi ne.
Ndaj dhe ne do krijojmë në Pukë dhe Shqipëri klimën më miqësore ndaj biznesit.
Do rindërtojmë në Pukë infrastrukturën më moderne.
Do shohim me përparësi tunelin Rreps-Gjegjan.
Ata që mund të rrudhin buzët kur e dëgjojnë këtë premtim, ata nuk njohin Pukën, potencialet e saj përrallore, nuk njohin pasuritë e saj të mëdha. Nuk njohin shpirtin punëtor të pukjanëve të mençur.
Çdo fermer do të subvencionohet për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi.
Dy javë më parë, një fermer nga Fushë Arrëzi më dërgon një mesazh, më thotë se duhet të importosh shumë të imëta dhe lopë sepse po shfarosen dhe do e kemi shumë të vështirë t’i kthejmë përsëri.
Unë i premtoj atij se do bëjmë gjithçka që t’i dyfishojmë dhe trefishojmë të gjitha krerët e bagëtive.
Qeveria do pesëfishojë subvencionet për fermerët e Pukës dhe të Shqipërisë. Në qoftë se sot merrni 100 euro, do merrni 500 euro.
Bimët mjekësore, arrorët, drurët frutorë do jenë përparësi në nxitjen, mbjelljen, kultivimin e tyre.
Pra, ne synojmë të dyfishojmë prodhimin bujqësor në 4 vite.
Po Puka është Puka e rezervave të mëdha minerale.




