Kanceri Pediatrik/ Mjekët: Rritje e lehtë e rasteve, por mungojnë të dhënat e sakta

Leukemia akute dhe tumoret e trurit janë format më të shpeshta të kancerit pediatrik, por mungesa e të dhënave të sakta vështirëson vlerësimin real të përhapjes.

Mjekja pediatre Mirela Xhafa thekson nevojën për ndërgjegjësim dhe sistem raportimi më efikas, ndërsa vërehet një rritje e lehtë e rasteve.

Kanceri pediatrik, megjithëse një sëmundje e rrallë, mbetet një ndër sfidat më të mëdha të mjekësisë që prek fëmijët.

Leukemia akute dhe tumoret e trurit janë format më të shpeshta, ndërsa mjekët flasin për një trend në rritje të rasteve. Mjekët apelojnë për diagnostikim të hershëm.

Kanceri pediatrik mbetet një ndër sëmundjet më të rënda dhe sfiduese në fëmijëri, edhe pse i rrallë.

Më i shpeshti ndër ta është leucemia akute, e ndjekur nga tumoret e trurit – dy diagnoza që kërkojnë trajtim të specializuar dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Mirela Xhafa, mjeke pediatre onkohematologe pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, ngre alarmin për nevojën e një ndërgjegjësimi më të madh publik dhe institucional. Sipas saj, kjo është një betejë që nuk fitohet vetëm.

‘’Trendi i këtyre patologjive është një trend rritës por me rritje të ngadaltë. Megjithëse ne kemi disa vështirësira me regjistrin elektronik kombëtar të kancerit’’.

Sipas të dhënave klinike, rastet e diagnostikimit në moshën 0–3 vjeç lidhen kryesisht me çrregullime të embriogjenezës – pra zhvillimi jo i rregullt gjatë periudhës së hershme të jetës.

Ndërsa pas moshës 3-vjeçare, ndikojnë faktorë të tjerë si trashëgimia, stili i jetesës dhe ushqyerja.

‘’Pas moshës tre vjec ka një ndikim po themi trashëgimia ose stili i jetesës, mënyra si ushqehen’’.

Mjekët kërkojnë një sistem më të fortë të raportimit dhe ndjekjes së rasteve, dhe edukim për njohjen e shenjave të hershme dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë.