Po punonte në aeroportin e ri të Vlorës, humb jetën 38-vjeçari pasi rrëzohet nga lartësia. Arrestohet administratori i kompanisë së ndërtimit

Një punëtor humbi jetën pas rrëzimit nga lartësia teksa ishte duke punuar në kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës.

Viktima është shtetasi D. H., 38 vjeç, i cili ishte punonjës i një kompanie ndërtimi që po punon në projektin e aeroportit.

Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, është arrestuar në flagrancë shtetasi D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, i cili mban detyrën e administratorit të kompanisë së ndërtimit.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit U. S., 41 vjeç, po nga Tirana, me funksion përgjegjës i punimeve. Sipas Policisë, këta dy persona dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për masat e sigurisë në punë, duke sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit.

Sakaq, materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi:

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 19.04.2025, në ambientet e aeroportit në ndërtim, në Akërni, ku humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia, shtetasi D. H., 38 vjeç, punonjës i kompanisë së ndërtimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë së ndërtimit, si dhe nisën procedimin penal për shtetasin U. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i punimeve në të njëjtën kompani. Këta shtetas dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për zbatimin e masave të sigurisë teknike në vendin e punës, çka ka sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit D. H.