Një jetë në skamje dhe harresë/ Nga Kukësi në Tiranë me shpresë për një jetë më të mirë, fati u soll ndryshe

Kadri dhe Dafina Puci, prindër të tre fëmijëve, përballen çdo ditë me varfëri ekstreme në një banesë me qira në Tiranë.

Dy djemtë e tyre janë marrë nga shteti për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ndërsa çifti mbledh kanaçe për të siguruar ushqimin e përditshëm.

Ata thonë se janë të harruar nga shteti dhe apelojnë për ndihmë.

Kadri dhe Dafina Puci, prindër të tre fëmijëve, jetojnë çdo ditë mes skamjes dhe një lufte të vazhdueshme për mbijetesë.

Të ardhur nga Kukësi rreth 30 vite më parë me shpresën për një jetë më të mirë në Tiranë, fati nuk u buzëqeshi.

Vitet kaluan, por sfidat veçse u shtuan.

Në shtëpi kanë vetëm me vajzën. Të detyruar nga varfëria dy djemtë e tyre, sot 15 dhe 18 vjeç, janë në jetimore.

Zemra e nënës është plagë, malli për djemtë është i papërshkrueshëm.

Çifti mbledh kanaçe çdo ditë për të siguruar bukën e gojës dhe disa të ardhura që mezi mjaftojnë për të paguar qiranë e një strehimi të përkohshëm.

Apeli i tyre është i thjeshtë, kërkojnë një dorë që t’i ndihmojë të kenë një jetë më të mire.