Dalin pamjet e shefit të qarkullimit Roven Zeka teksa vetëdorëzohet

Ky është momenti kur shefi i qarkullimit rrugor, Roven Zeka është paraqitur në drejtorinë vendore të Policisë Tiranë për tu vetëdorëzuar pas urdhër arrestit nga SPAK.

Në foto duket teksa Zeka futet në polici pasi është informuar nga mediat për urdhër arrestin.

Ndaj 3 oficerëve të policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë SPAK ka firmosur tre masa arresti për dyshimet e korrupsionit . Siç bëhet me dije jo zyrtarisht shefi i komisariatit rrugor Roven Zeka, shefi i hetimit të aksidenteve automobilistike Sokol Novaku dhe oficeri i policisë rrugore Edison Tabaku dyshohen për korrupsion.

Në përgjime rezulton qe oficeri i këqyrjes së vendngjarjes ka përmendur dy eprorët e tij në policinë rrugore, për të ndryshuar rezultatet e një aksidenti automobilistik. Çështja u hetua nga prokurorët e posaçëm që u vunë në lëvizje mbas një aksidenti rrugor në kryeqytet një ngjarje për të cilën ka dyshime se paratë i ka paguar një shtetase ndaj oficerit të policisë gjyqësore .

Mbetet ende e paqartë se sa është shuma e kërkuar dhe nëse ka patur pasojë në jetë prej këtij aksidenti. Por ajo që shpjegohet është fakti se vendngjarjen e ka këqyrur oficeri Edison Tabaku, ndërkohë që më pas ka komunikuar me shefin e linjes për aksidentet Sokol Novaku po ashtu me urdhër ndalimi.

Dyshohet se mbante lidhje me kreun e qarkullimit rrugor që u emërua në këtë detyrë pak javë më parë. SPAK nuk ka sjellë ende një njoftim zyrtar për detajet e hetimit ndërkohë që veprimet janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.