Igli Tare, nga goditjet e mëdha te dështimet në merkato

Nga Luis Alberto te Milinkovic-Savic, nga Miroslav Klose te Ciro Immobile, Igli Tare ka firmosur shumë nga blerjet më të suksesshme në historinë e kohëve të fundit të Lazios gjatë qëndrimit të tij si drejtor sportiv.

Por krahas suksesit, nuk kanë munguar as dështimet, lojtarë që kanë ardhur me shumë pritshmëri dhe janë larguar në heshtje, pa lënë gjurmë.

Pas takimit të fundit me administratorin e deleguar të Milanit, Giorgio Furlani, emri i Igli Tares është në qendër të vëmendjes për postin e drejtorit sportiv të kuqezinjve për sezonin e ardhshëm.

E ndërsa portali italian TMW analizoi formacionin ideal të blerjeve të tij, nuk mungoi një vështrim edhe mbi dështimet e bujshme gjatë periudhës së tij në Formello.

Një nga goditjet më të dështuara është konsideruar ajo e Vedat Muriqit.

Sulmuesi nga Kosova mbërriti te Lazio me shumë bujë dhe për një shifër të lartë – rreth 20 milionë euro – por nuk arriti të justifikonte investimin.

Në 49 paraqitje me fanellën bardhekaltër, shënoi vetëm 2 gola, larg nga pritshmëritë.

Fati ishte edhe më i pafavorshëm për Helder Postiga: vetëm 5 ndeshje me Lazion dhe asnjë gol. Po aq zhgënjyes ishte edhe Gael Kakuta, i cili numëron vetëm 2 paraqitje.

Një rast i veçantë është ai i Pedro Neto-s, i blerë për një shumë të konsiderueshme dhe sot pjesë e Chelsea-t, por që me Lazion luajti vetëm 5 ndeshje.

Bashkëkombësi i tij, Bruno Jordao, shfaqet edhe më pak në statistika: vetëm 3 paraqitje.

Ndër dështimet e tjera të përmendura është edhe Valon Berisha, për të cilin Tare kishte shumë besim, por me 22 paraqitje dhe asnjë gol, mbeti një kujtim i zbehur për tifozët.

Në listën e "flop"-eve përfshihen edhe Denis Vavro, Thomas Hitzlsperger, si dhe dy emra që sollën më shumë bujë sesa kontribut: Ravel Morrison dhe Ricardo Kishna.

Pavarësisht këtyre dështimeve, bilanci i Tares mbetet pozitiv për shumëkënd, falë nuhatjes së tij për talente që u kthyen në ‘yje’ të futbollit europian.

Por kjo listë dështimesh shërben edhe si kujtesë se merkatoja, sado eksperiencë të kesh, mbetet një terren i pasigurt.