Amorim flet për dëmtimet dhe zgjedhjet e tij: Zirkzee jashtë për gjithë sezonin, Onana meriton të rikthehet

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka dhënë përditësime të rëndësishme mbi gjendjen e skuadrës gjatë konferencës për shtypin të mbajtur sot.

Tekniku portugez ka konfirmuar se Joshua Zirkzee nuk do të rikthehet më në fushë këtë sezon, për shkak të një dëmtimi që e ka lënë jashtë përfundimisht.

“Zirkzee është jashtë për gjithë sezonin. Nuk do të luajë më këtë vit, ndaj duhet ta përgatisim për sezonin e ardhshëm.

Është një moment i vështirë për të, sidomos sepse po përmirësohej në çdo aspekt. Është e vështirë për çdo lojtar të ndalet kur ndien se po rritet," u shpreh Amorim me keqardhje.

Sa i përket mbrojtjes, Matthijs de Ligt pritet të rikthehet përpara fundit të sezonit, ndërsa Ayden Heaven nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës për shkak të një problemi të vogël fizik pas një kontakti në stërvitje.

Një tjetër mungesë do të jetë edhe ajo e Jonny Evans, i cili ka rifilluar stërvitjen me grupin por nuk është ende i gatshëm për të zbritur në fushë.

Për Amad Diallo, shpresat mbeten që të luajë ndonjë ndeshje gjatë këtij sezoni, por jo gjatë muajit prill.

“Nuk mendoj se do të jetë gati këtë muaj, por shpresojmë ta kemi para fundit të sezonit,” shtoi trajneri.

Në fund, Amorim u ndal edhe te portieri Andre Onana, një nga emrat më të diskutuar në këtë periudhë.

Ai sqaroi vendimin e fundit për ta aktivizuar sërish kamerunasin si titullar.

“Jam i bindur që jam njeriu i duhur për ta drejtuar këtë skuadër dhe mendoj njësoj edhe për Andre.

Vendimin për ta futur e mora fundjavën e kaluar, por fillimisht fola me të. Për mua është e rëndësishme që lojtari të kuptojë pse.

Ndonjëherë janë ndjesitë e mia si trajner që peshojnë më shumë sesa çfarë më thonë të tjerët.

Flas, dëgjoj, por në fund vendimi është imi. Andre është një lojtar që e meriton të kthehet në garë, por më e rëndësishmja është skuadra. Vendimet i marr për të mirën e ndeshjes, sepse çdo takim është vendimtar për ne.”

Në një moment delikat të sezonit, Amorim po përpiqet të ruajë ekuilibrin në një skuadër që po përballet me shumë mungesa, por që kërkon të mbajë gjallë objektivat në garat ku është ende në lojë.