Pritet të zyrtarizohet si drejtor sportiv i Milanit, ky është formacioni më i mirë i ‘blerjeve’ të Igli Tares

Pas dështimit të tratativës me Fabio Paratici-n, drejtuesit e Milanit kanë kthyer vëmendjen drejt një tjetër emri të njohur të futbollit europian: Igli Tare.

Takimi i fundit mes administratorit të deleguar të Milanit, Giorgio Furlani, dhe ish-drejtorit sportiv të Lazios ka qenë pozitiv dhe e ka vendosur shqiptarin në krye të listës së kandidatëve për rolin e drejtorit të ri sportiv te kuqezinjtë.

Përkrah emrave si Tony D’Amico dhe Giovanni Sartori, Tare vlerësohet si një profil me përvojë, vizion dhe aftësi të dëshmuar në ndërtimin e ekipeve konkurruese me investime të kujdesshme.

Kontributi i tij gjatë më shumë se një dekade te Lazio është shembullor: ai zbuloi talente, ndërtoi skuadra të forta dhe krijoi kapituj të rëndësishëm në historinë e klubit bardhekaltër.

Nga prapavija te sulmi: një sy që s’gabonte

Në verën e vitit 2011, Tare solli në Formello portierin Federico Marchetti, i cili u bë për vite një nga më të mirët në Serinë A.

Në mbrojtje, emra si Stefan de Vrij (sot tek Interi), Francesco Acerbi dhe Alessio Romagnoli (aktualisht kapiten i Lazios), janë produkt i vizionit të tij strategjik.

Një mesfushë që frymëzoi një epokë

Emrat në mesfushën e ndërtuar nga Tare flasin vetë: Hernanes, i sjellë nga Brazili për 13 milionë euro dhe më pas shitur tek Interi; Luis Alberto, i ardhur për vetëm 4 milionë nga Liverpool-i; dhe pa dyshim “diamanti” Sergej Milinković-Savić, për të cilin Tare parandaloi firmën me Fiorentinën dhe mori nga Genk për 12 milionë euro, një nga mesfushorët më dominues në Serinë A për vite me radhë.

Në krahët e kësaj mesfushe brilante, spikatnin Mattia Zaccagni dhe Felipe Anderson, ky i fundit, një tjetër investim i jashtëzakonshëm: i blerë për 7 milionë, i shitur për 38 milionë tek West Ham-i dhe më pas rikthyer për vetëm 3 milionë.

Sulm që la gjurmë

Tare do të mbahet mend edhe për dy lëvizje të jashtëzakonshme në ofensivë: afrimin e legjendës gjermane Miroslav Klose, i marrë pa kosto pas largimit nga Bayerni, dhe Ciro Immobile, i blerë për më pak se 10 milionë euro pas një aventure të vështirë në Spanjë, tashmë një nga golashënuesit më të mëdhenj në historinë e Lazios.

Formacioni më i mirë i Tares (3-5-2)

Portier: Marchetti

Mbrojtja: Acerbi, De Vrij, Romagnoli

Mesfusha: Zaccagni, Milinković-Savić, Hernanes, Luis Alberto, Felipe Anderson

Sulmi: Klose, Immobile

Rezerva luksi: Provedel, Lulic, Marušić, Lucas Leiva, Lucas Biglia, Pedro, Correa.