Hapja e grup-kapitujve të rinj/ Ambasadori i BE, Gonzato: Të zbatohen reformat

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato e ka cilësuar hapjen e grupkapitullit të ri me BE-në si një hap tjetër të rëndësishëm për Shqipërinë.

Në një reagim në rrjetet sociale ai u shpreh se tashmë duhet të zbatohen reformat që na afrojnë me unionin.

Përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit drejt BE,  me konferencën e 4 ndërqeveritare është përgëzuar nga Ambasadori i unionit në Tiranë, Silvio Gonzato.

Diplomati, përmes një reagimi në rrjetin social X, thotë se tashmë rëndësi ka miratimi dhe zbatimi i reformave të kërkuara në mënyrë që vendin ynë së shpejti të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Një hap tjetër i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, hapja e grupkapitullit për Tregun e Brendshëm!

Tani është e rëndësishme të miratohen dhe zbatohen reformat që lidhen me BE-në.”

Sipas ambasadorit, unioni do të vijojë të jetë krahë shqipërisë në këtë rrugëtim.

“Vijimi i përafrimit me legjislacionin e BE-së e afron Shqipërinë me një Evropë më të bashkuar dhe më të sigurt.

BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të këtij rrugëtimi.”

Të hënën në Luksenburg, u hap grupkapitulli i dytë “Tregu i Brendshëm”, ku Shqipëria do të duhet të ndërmarrë reformat e nevojshme për të përshtatur legjislacionin tonë me atë të BE.

Tashmë kanë mbetur edhe 3 grupkapituj të tjerë!