IGLI TARE PRANË KONTRATËS! Mediet italiane: Shpejt takimi me drejtuesit e Milanit

Tare pritet të diskutojë me përfaqësuesit e Milanit për të vendosur mbi drejtimin e ekipit. Mediet fqinjë shkruajnë se ai mbetet kandidatura më e mirë, ndërsa zgjedhja përfundimtare do të jetë në ditët e para të muajit maj

Pas përjashtimit të përhershëm të Fabio Paraticit dhe ftohjes së pistës për D'Amicon, për shkak të refuzimit të Atalantës për ta liruar atë, Milani ka filluar të eksplorojë alternativa të reja për rolin e drejtorit sportiv që do të marrë përsipër ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Emri më i nxehtë në këtë moment mbetet ai i Igli Tares. Ish-drejtori i Lazios, i lirë që nga largimi prej klubit në qershorin e vitit 2023, është gati për një rikthim në futboll. Në fillim të javës, ai do të takohet me administratorin e deleguar të Milanit, Giorgio Furlani.

Media set shkruan se me Taren do të zhvillojë një tjetër takim për të diskutuar kontratën dhe vizionin e 51-vjeçarit për të ardhmen e kuqezinjve. Kujtojmë se edhe në vitin 2019, Tare ishte shumë pranë firmës me Milanin për të punuar përkrah Paolo Maldinit.

Në garë mbetet edhe Giovanni Sartori, megjithatë, rinovimi i tij i fundit me Bolognën deri në vitin 2027 e bën këtë pistë më të vështirë. Më i largët është Giovanni Manna, aktualisht i lidhur me kontratë me Napolin.

Megjithëse Furlani nuk ka nxitim për të marrë vendimin përfundimtar, emërimi i drejtorit të ri sportiv pritet të ndodhë brenda ditëve të para të muajit maj.