LUKA MODRIC “NË AJËR”/ Reali nuk ka vendosur ende për të ardhmen e legjendarit kroat

E ardhmja e Luka Modric te Real Madrid mbetet ende pezull. Mesfushori kroat, tashmë 39 vjeç, dëshiron të qëndrojë në “Santiago Bernabéu”, por negociatat për rinovimin janë bllokuar.

Ai do të mbushë 40 vjeç në shtator dhe objektivi i tij është të mbetet në nivelet më të larta të futbollit për të qenë në formë për Botërorin e vitit 2030.

Megjithatë, ai  ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen pas tërheqjes nga futbolli aktiv.

Lëvizja e fundit e kroatit e tregon qartë dëshirën për të mbetur i lidhur me botën e futbollit: ai ka vendosur të bëhet aksioner minoritar i klubit Swansea AFC, që militon në Championship – kategorinë e dytë angleze.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, investimi është tashmë i konfirmuar.

Ky angazhim financiar nuk ndikon në dëshirën e Modric për të vazhduar te Real Madrid. Ai tashmë kishte pranuar një ulje page për të rinovuar për këtë sezon dhe është gati të bëjë një tjetër sakrificë ekonomike për të qëndruar edhe një vit si kapiten i “Los Blancos”.

Në ambientet e Realit duket se po bëhet trend për lojtarët të investojnë në klube të tjera. Kylian Mbappé ka blerë pjesë të klubit SM Caen në Francë, ndërsa Vinícius Jr ka investuar në FC Alverca në Portugali.

Roli i Modric te Swansea nuk është përcaktuar ende, por nuk përjashtohet që në të ardhmen ai të angazhohet në drejtimin sportiv apo në menaxhimin e klubit, duke fituar eksperiencë për një rikthim të mundshëm në “shtëpinë e bardhë” në një pozicion drejtues.

Pa dyshim, Luka Modric do të ishte një figurë ideale për të punuar në strukturat e Real Madridit në të ardhmen.