Vjen vendimi i shumëpritur, Barcelona fiton një tjetër betejë për aktivizimin e Olmo-s dhe Pau Victor
Ka ardhur vendimi më i shumëpritur në kampin e Barcelonës, menjëherë pas fitores entuziaste ndaj Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
Dani Olmo dhe Pau Víctor mund të vazhdojnë të luajnë me fanellën ‘blaugrana’. Sipas asaj që raporton “El Mundo Deportivo”, Gjykata Administrative Rajonale ka refuzuar kërkesën e përkohshme të paraqitur nga La Liga për të pezulluar regjistrimin e dy lojtarëve, pas pranimit të ankesës së bërë nga Barcelona më 7 janar.
Megjithatë, çështja nuk është ende e mbyllur.
Ky vendim do të kufizojë kohën që Këshilli i Lartë i Sportit (CSD) dhe Prokuroria e Shtetit kanë në dispozicion për të paraqitur paditë e tyre për këtë rast.
Konflikti po bëhet gjithnjë e më i ashpër, por të paktën Barcelona do të mund të aktivizojë mesfushorin dhe sulmuesin deri në fund të sezonit.
Javën e kaluar, gjykatësit vendosën se La Liga dhe Komiteti Federativ, që kishin refuzuar regjistrimin e tyre për pjesën e mbetur të sezonit, nuk kishin autoritetin ligjor për ta bërë këtë.
Sipas ‘AS’, presidenti Javier Tebas dhe La Liga nuk kanë ndër mend të ndalen këtu.
Ndërkohë, Yamal dhe shokët e tij mund të përqendrohen në fushë: përpara ndeshjes vendimtare ndaj Dortmundit, do të përballen me Leganés në kampionat, në përpjekje për të mbrojtur vendin e parë në renditje.
