Trajneri i ri i Romës, Ranieri: Jemi afër zgjedhjes, lista është shkurtuar në 3-4 emra
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka folur për gazetën ‘Il Messaggero’, duke prekur të gjitha temat e aktualitetit te verdhekuqtë.
Ndër temat e trajtuara ishte edhe kërkimi për trajnerin e ri:
"Trajnerin nuk e zgjedh unë, nuk funksionon kështu.
Nëse kam bërë një listë me emra, me të mirat dhe të metat e secilit, u takon edhe Friedkin-ëve të vendosin," shpjegoi trajneri, i cili nga sezoni i ardhshëm do të mbajë rolin e ‘senior advisor’.
Kur dorëzohet një listë e tillë, sa e gjatë është?
Ghisolfi dhe unë kemi ndjekur modelin anglez. Fillimisht ishin 7-8 emra dhe kemi përfunduar me 3-4.
A është dorëzuar lista?
Që prej kohësh.
Dhe Friedkin-ët kanë zgjedhur?
Jemi afër, shumë afër.
Jeni optimist se do të jetë një trajner në stilin Ranieri?
Jam i bindur se do të vijë një trajner i mirë.
Pse keni thënë që në fillim mund të mos pëlqehet?
Sepse shumë herë në Romë mendohet se do të vijë ky apo ai, dhe më pas ndodhin gjëra të tjera. Kushdo që të vijë, ta lëmë të punojë.
Tani kam thënë të marrim një trajner për Romën dhe të ecim përpara. Duhet të ndryshohet vetëm kur trajneri dhe skuadra nuk janë më në një linjë.
Por për sa kohë ka ndjesi pozitive, dhe këto gjëra duken në fushë, duhet të vazhdojnë bashkë.
Nuk ekziston ajo puna e 'lojtari X që ka larguar një trajner'. Nuk ekziston, ju siguroj.
Çfarë tipi është ten Hag? Simpatik?
E besoni se nuk e njoh fare? Asnjëherë nuk e kam takuar. Kam lexuar që do të shkoja për darkë me të.
As që e kam parë ndonjëherë. Ju lutem, besomëni.
A duhet të besojmë që për Gasperinin nuk keni menduar asnjëherë?
Sigurisht. Kam thënë gjithmonë që më gënjeshtarë se futbollistët janë vetëm trajnerët që kanë qenë futbollistë.
Tani bëhem serioz: shkoni pyesni çdo trajner nëse do të ishte i lumtur të drejtonte Romën. Kush do t’ju thoshte jo?
Na thoni të paktën nëse trajneri i ri do të jetë italian apo i huaj?
Jo, se pastaj jua ngatërroj gjithçka. Silluni mirë.