Jeta e re e Kevin-Prince Boateng: Do të kisha luajtur për 10 vite te Real Madridi nëse...
Kevin-Prince Boateng, ish-futbollisti i njohur që ka luajtur për klube si Milan, Tottenham, Dortmund, Barcelona dhe Las Palmas, ka treguar një tjetër anë të jetës së tij pas karrierës në fushë.
Edhe pse dikur konsiderohej si një talent i madh, ai pranon se fama dhe paraja nuk janë gjithmonë zgjidhja e duhur dhe rrëfen se ka bërë shumë gabime në të kaluarën.
Boateng themeloi së fundmi agjencinë e tij të menaxhimit "Rookie and Champ", me synimin për të ndihmuar të rinjtë që të mos përsërisin gabimet e tij.
Ai dëshiron të jetë një figurë udhëzuese dhe mbështetëse për ta, duke u ofruar gjithçka që kanë nevojë për t’u përgatitur për futbollin profesionist: nga përgatitja fizike dhe mendore deri tek edukimi taktik.
Ai kujton si një moment vendimtar: transferimin e tij te Tottenhami në moshën 18-vjeçare, kur pas vetëm dhjetë ditësh trajneri i tha se nuk e donte në ekip – një përvojë që e shkatërroi shpirtërisht.
Tani, ai dëshiron të sigurohet që të tjerët të mos kalojnë të njëjtën gjë.
Agjencia e tij, për momentin, përfaqëson pesë lojtarë të rinj nga Berlini dhe Boateng shpreson t'u japë atyre mundësinë për të arritur në futbollin europian. Me ironi, ai shprehet:
“Po të kisha pasur gjithçka që u ofroj këtyre të rinjve, do të kisha luajtur 10 vite rresht te Real Madridi.”
Në eventin TransferRoom, Boateng prezantoi agjencinë e tij dhe u shpreh i mahnitur nga koncepti që lejon klubet dhe agjentët të lidhen drejtpërdrejt për të bërë transferime – një mënyrë që ai e sheh si të ardhmen e tregut të futbollit.
